Bundestagu me votat e partive të koalicionit qeverisës ka pranuar të premten ndryshimet e diskutueshme në ligjin zgjedhor, të cilat do të reduktojnë numrin e përfaqësuesve në Bundestag dhe do ta kufizojnë atë në 630.
“Për ndryshimin e ligjit zgjedhor votuan 400 deputetë, kundër 261”, tha nënkryetari i parlamentit gjerman, Aydan Oezoguz, përcjell Fol Drejt.
Ligji parashikon heqjen e të ashtuquajturve mandate shtesë dhe kompensuese që lindin kur njëra parti, me votat e drejtpërdrejta për një kandidat, fiton më shumë mandate përfaqësuese se sa i takon sipas votave të marra për partitë.
Në zgjedhjet parlamentare federale, votuesit në Gjermani hodhën dy vota: e para për një kandidat dhe e dyta për një parti.
Për shkak të rritjes së numrit të mandateve shtesë dhe kompensuese, Bundestagu është rritur në një rekord prej 736 përfaqësuesish në vitet e fundit.
Gjykata Kushtetuese gjermane ka kritikuar vazhdimisht praktikën e mandateve shtesë dhe ka kërkuar ndryshime nga autoritetet. Ngritja e Bundestagut u kritikua edhe nga shoqatat e taksapaguesve për shkak të kostove të saj.
Me ligjin e ri do të mundësohet që një kandidat, pavarësisht se është zgjedhur në zonën e tij zgjedhore, të mos bëhet përfaqësues nëse ato zgjedhje nuk konfirmohen me vota partiake.
Opozita kritikoi ashpër këto ndryshime, të cilat mund të prekin veçanërisht Unionin Kristian Social (CSU), i cili përfaqëson opsionin Demokristian në Bavari dhe përfaqësuesit e të cilit në Bundestag, si rregull, hyjnë me mandate të drejtpërdrejta.
E njëjta gjë është edhe me partinë e Majtë, e cila në mbledhjen aktuale të Bundestagut nuk do të përfaqësohej fare pa mandate të drejtpërdrejta, sepse nuk e kaloi pragun elektoral prej 5 për qind.
“Plani i qeverisë social-demokrate-gjelbër-liberale vë në dyshim ekzistencën e CSU-së”, tha Alexander Dobrindt, kreu i grupit parlamentar të CSU-së, gjatë debatit në Bundestag.
Kreu i partisë së Majtë në Bundestag, Jan Korte, beson se Partia Social Demokratike e Gjermanisë (SPD) në pushtet “dëshiron të eliminojë kritikat nga spektri i majtë në Bundestag”.
Kryeministri i Bavarisë dhe presidenti i CSU-së, Markus Soeder, njoftoi pak ditë më parë se do të bëjë padi në Gjykatën Kushtetuese në rast se ligji do të pranohet./FolDrejt/