Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës me vendim unanim ka përzgjedhur Burbuqe Hana në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, shkruan Fol Drejt.
Lajmin e konfirmoi kompania telekomunikuese Vala përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku tha se Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës Sh.A. me datë 07.12.2022, me vendim unanim, përzgjodhi zonjën Burbuqe Hana në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, me mandat trevjeçar.
“Komisioni në bazë të metodologjisë për vlerësimin e Zyrtarëve të Lartë, të përcaktuar nga Partneri zbatues për monitorim (BDO), ka bërë poentimin e të gjithë kandidatëve të intervistuar, ku znj. Burbuqe Hana është vlerësuar nga Komisioni Vlerësues me më së shumti pikë”, thuhet në njoftim.
Tutje u tha se Bordi i Drejtorëve i TK Sh.A. konstaton që i gjithë procesi i rekrutimit për pozitën e punës Kryeshef Ekzekutiv ka qenë transparent, i rregullt dhe në bazë të Ligjit, Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative.
“Ndërsa për pozitën Zyrtar Kryesor i Financave dhe Thesarit, kanë aplikuar gjashtë (6) kandidatë. Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve/aplikacioneve, Komisioni Vlerësues ka konstatuar që nuk ka numër të mjaftueshëm të kandidatëve që i plotësojnë kushtet e përcaktuara me konkurs për ZKFTH, konform legjislacionit në fuqi”, theksohet në vazhdim të njoftimit. /FolDrejt/