Në prezantimin e tij, ministri i Financave, Fatmir Besimi, shpjegoi se buxheti është zhvilluar sepse mbulon prioritetet e shtetit. Vitin e ardhshëm do të ketë pagesa të rregullta të pagave dhe pensioneve. Shteti do të merr hua vetëm për realizimin e investimeve kapitale, të cilat sipas Besimit do të sjellin një jetë më të mirë për qytetarët.
“Propozim buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022 parasheh katër qëllime themelore. Vazhdimi i kujdesit për mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Rimëkëmbja ekonomike dhe përshpejtimi i rritjes. Rritja e investimeve dhe në të njëjtën kohë, konsolidimi. Dhe financim të papenguar për funksionet bazë shtetërore dhe mbështetje për reformën në drejtësi dhe integrimin euroatlantik”- deklaroi Fatmir Besimi- Ministër i Financave.
Për opozitën, Propozim buxheti i vitit të ardhshëm kërcënon stabilitetin financiar të vendit. Në vend që t’i ndihmojë qytetarët për të dalë nga kriza energjetike, në buxhet janë paraparë shumë mjete për blerjen e mobiljeve dhe veturave, thotë deputeti i VMRO DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
“Në këtë buxhet Qeveria nuk ka paraparë mjete për t’u përballur me pasojat e krizës energjetike. Shkojmë pjesë-pjesë. Ky është buxhet me deficit të lartë buxhetor prej 4,3% që do të sjellë borxh publik rekord prej 65.9 % të PBV-së, që vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë fiskale gjegjësisht nëse shteti do të jetë në gjendje të paguajë detyrimet”- pohoi Bojan Stojanovski deputet i VMRO DPMNE-së.
Partitë opozitare kanë dorëzuar 220 amendamente, shumica e tyre nga grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së. Sipas Rregullores, debati i komisionit mund të zgjasë dhjetë ditë, prej të cilave pesë ditë për debat të përgjithshëm dhe pesë për amendamentet. Vitin e ardhshëm planifikohet të mblidhen 3.8 miliardë euro në arkën e shtetit dhe të shpenzohen 4.4 miliardë euro. Hendeku buxhetor do të arrijë në 4.3 për qind ose 545 milionë euro, ndërsa në anën tjetër plani i qeverisë është realizimi i investimeve kapitale në vlerë prej 615 milionë euro. Raporton Alsay