Shoferit të autobusit që u përfshi në aksidentin e djeshëm tragjik ku vdiqën dy mërgimtarë i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për F.I. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Podujevë me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse i pandehurit F.I. gjendet në liri ekziston rreziku se i njëjti mund t’i asgjësojë, fshehë, ndryshojë apo falsifikojë provat e veprës penale duke ndikuar gjithashtu edhe në dëshmitarë.
Caktimin e kësaj mase e arsyeton pesha e veprës penale ku si pasojë e aksidentit dy persona kanë vdekur, prandaj gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e vetmja masë preventive që të ndikojë te i njëjti në parandalimin e përsëritjes së veprës penale.
Ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e pezullon ekzekutimin e tij.