Julian Nagelsmann nuk është më trajner i Bayernit. Jemi ende në pritje të konfirmimit zyrtar, i cili duhet të arrijë të premten.
Këtë e ka zbuluar futbollisti i Bayernit, Joao Cancelo, në një intervistë pas ndeshjes në të cilën ai dhe kombëtarja portugeze mposhtën Lihtenshtajnin me rezultat 4:0.
“Uh… nuk e dija, nuk e dija. Jam i befasuar, po. Do të doja të falënderoja Nagelsmannin sepse ai donte të më sillte në Bayern. Unë u befasova nga kjo, por i uroj atij më së miri. Do të përpiqem të njihem me mënyrën e punës së trajnerit të ri sa më shpejt që të jetë e mundur. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë, kemi ndeshje të rëndësishme dhe një pjesë vendimtare të sezonit që vjen. Bayerni është një klub që është gjithmonë gati për të fituar”, ka komentuar Cancelo.
Cancelo mbërriti në Bayern këtë dimër si huazim nga Manchester City, por nuk arriti të bënte ndeshje të mira në muajt e parë në Mynih. Benjamin Pavard dhe Josip Stanišić kishin pozicionin e mbrojtësit të djathtë në ndeshjet më të rëndësishme, transmeton Fol Drejt.