Një çantë dore mikroskopike “më e vogël se kokrra e kripës” është shitur në ankand për 63.750 dollarë amerikanë, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas BBC, për të parë dizajnin e çantës duhet një mikroskop, pasi ky objekt i imët është me dimensione 657, 222 dhe 700 mikrometra.
“Mjaft e ngushtë sa për të kaluar nëpër vrimën e gjilpërës, kjo çantë është aq e vogël sa ju duhet një mikroskop për ta parë”, njoftoi ekipi i kreatorëve që dizajnuan çantën MISCHF, i njohur për krijimet e saj kontroverse.
Ndër krijimet e tyre janë këpucë që përmbajnë gjak njeriu, atlete me ujë të shenjtë në thembra dhe çizme gjigante gome të kuqe.
Këtë herë, ekipi i tyre i kreatorëve vendosi që trendin e çantave të vogla ta çojë në ekstrem. “Ka çanta të mëdha, çanta normale dhe çanta të vogla, por kjo është fjala e fundit në miniaturizimin e çantave”, tha MSCHF.
Çanta ka logon Louis Vuitton, por vetë artikulli nuk ka asnjë lidhje me këtë markë. Çanta është bërë nga fotopolimeri artificial duke përdorur teknologjinë e printimit 3D që përdoret shpesh për të bërë modele dhe struktura të vogla mekanike.
Ndërsa po punohej, disa nga mostrat e çantave të dorës që brendi i dërgoi për shqyrtim ishin aq të vogla sa që ekipi i MSCHF i humbi ato, shkruan revista “Smithsonian”.