Ismet Capric është djali i Islam dhe Djulije Capric. I lindur në 1974 në Bruklin të Nju Jorkut, ai përfundoi shkollën e inxhinierisë mekanike në 1992 në Polytechnic University (ndryshe e njohur si NYU – Tandon School of Engineering). Në 2000 ai mbaroi studimet master në biznes menaxhment në Wagner College në Staten Island. Përndryshe punon në kompaninë Taub’s Floor Covering dhe është anëtar bordi i Miraj Islamic School si nd.profesor nga St John’s, duke ligjëruar te studentët e tij menaxhment dhe marketing. Për foldrejt.com, Capris ka biseduar më shumë për origjinën e tij familjare dhe këshillat që ia drejton rinisë shqiptare, këndej dhe andej oqeanit.
Foldrejt.com: Familja juaj ka origjinën nga ish Jugosllavia dhe Kruja e Shqipërisë, kurse ju keni lindur në ShBA. Çfarë dallime shihni mes banorëve të këtyre tre rajoneve?
Familja ime është nga ish Jugosllavia (tani Mali i Zi). Ata vijnë nga një qytezë e vogël e quajtur Krythë. Babai im është Islam Capric. Ai më ka treguar se familja jonë ka jetuar në Krythë për mbi 300 vjet dhe ai kujton pleqtë që ia kanë treguar linjën familjare. Ata janë të gatshëm të shkojnë pas nëntë gjenerata (mbi 400 vjet) në Krythë, kurse u është thënë se përpara tyre origjina e familjes rrjedh nga Kruja e Shqipërisë. Prindërit e mi erdhën nga Ulqini në Nju Jork në 1971, ndërsa unë linda në 1974. Unë vizitoj Krythën dhe Ulqinin mesatarisht shtatë deri tetë vjet, duke qëndruar dy javë deri në një muaj. Përndryshe kurrë nuk kam qenë në Krujë, pasi paaradhësit e mi e kanë lëshuar atë qytet shumë vite më parë. Ne nuk besojmë se atje kemi ndonjë familjar, ose, edhe nëse kemi është distancë e largët. Megjithatë, unë kam vizituar Tiranën, Durrësin dhe Shkodrën, por më shumë kam kaluar përmes tyre ose kam bujtur pak ditë. Besoj se duhesha t’ua tregoj këtë histori, që ju ta dini pikëpamjet e personit që duhet t’i jap përgjigjet. Vizitat e mija kanë qenë larg njëra-tjetrës dhe çdoherë kur vjen koha të shkoj, shoh ndryshime të mëdha.
Tani për t’ju përgjigjur pyetjes:
Në Nju Jork kemi persona nga e gjithë bota. Këtu kemi persona që kanë qenë këtu prej shumë gjeneratash, emigrantë të rinj dhe gjithçka mes tyre. Prindërit e mi ishin emigrantë të rinj dhe unë jam gjenerata e parë shqiptaro-amerikane i lindur në SHBA. Nju Jorku ndryshon nga qytetet tjera sepse Nju Jorku ka më shumë diversitet sesa çdo qytet në ShBa dhe në botë. Këtu ne kemi shumë tipa të ndryshëm të popujve dhe në staza të ndryshme të emigrimit (nga emigrantë të rinj, deri ata ata me shumë gjenerata) në Shba. Ju keni persona që kanë qenë gjatë në SHBA dhe kanë qëndrim fyes ndaj emigrantëve të rinj, veçanërisht sot. Në përgjithësi ju nuk pranoni ndjenja të ngrohta, sepse çdokush këtu është i zënë dhe i humbur në botën e tij. Megjithatë, kur ti duhet të njohësh një person ti kupton se në përgjithësi njerëzit janë të mirë por gjithmonë në mbrojtje. Nëse ndokush është shumë i sjellshëm, atëherë ti mendon se ai është i huaj ose se me të nuk shkon diçka, ose ai kërkon diçka. Nga përvoja ime në Krythë dhe Ulqinj, shoh persona që janë shumë të ngrohtë dhe të shoqërueshëm, por duhet të kemi parasysh se udhëtimet e mija çdoherë janë gjatë verës dhe kjo ngrohtësi dhe shoqëri të sjell më shumë para. Në vizitat e mia të para, vëreja se njerëzit ishin më të ngrohtë dhe të shoqërueshëm, veçanërisht familja. Ata çdoherë dëshironin të ishin me ti dhe ishin shumë mikpritës. Por, gjatë vizitës sime vitin e kaluar, pash që gjërat kishin filluar të ndryshojnë. Tashmë edhe atje janë njerëzit më të zënë, nuk kanë shumë kohë për familjen dhe njëri-tjetrin. Pika më pikëllyese është se edhe kur mbaron sezona (atëherë kur janë edhe më të lirë), ajo ndjenja e ngrohtësisë dhe shoqërimit nuk është i njëjtë. Ishin orientuar më shumë drejt “amerikanizimit” dhe më pak familjarë. Më kujtohet kur rritesha vitet e para në SHBA, prindërit e mi pritnin çdo fundjavë ndonjë familjar ose mik. Tani askush nuk të viziton përveç për Bajram – ata shkojnë te prindërit e mi, jo tek unë, pasi babai përkujdeset për nënën e tij 102 vjeçare. Ata kanë frikë se kur nëna e tij të ndërron jetë edhe këto pak vizita nuk do kryhen më. Unë përpiqem të shkoj në Krythe dhe Ulqinj për këtë ndjenjë të ngrohtë, por fatkeqësisht edhe atje kjo është zhdukur.
Kur bëhet fjala për Shqipërinë, atje kam më pak përvojë, megjithatë, kam disa kujtime që më kanë bërë përshtypje si individ dhe si shqiptar. Kur vizitova herën e parë Shqipërinë, ishte viti 1992 (pak pas rënies së komunizmit në Shqipëri) dhe po bënim rrugën për në Ulqinj. Gjatë këtyre momenteve më kujtohet ajo ndjenjë e dhimbshme e fëmijëve që po lypnin në aeroport dhe dëgjimin e tregimeve për grabitjen e njerëzve. Ata na thanë që të mos ndalonim askund pasi ishte shumë rrezik. Por kur arritëm në Shkodër, pamë xhaminë dhe babai pyeti shoferin që të ndalonte për ta vizituar. Aty ndaluam dhe pimë një kafe pranë xhamisë. Pronari i kafesë na pyeti se çfarë bënim dhe ne i treguam se u ndaluam të shikojmë xhaminë dhe atdheun tonë. Atëherë ai bëri diçka që unë nuk e kuptova në atë kohë. Ai tha se pijet janë të paguara nga unë dhe na falenderoi për vizitën. Në retrospektivë, ai sipas të gjitha gjasave ishte shumë i varfër dhe mund të na shfrytëzonte, por ai tregoi vlerën e të qenurit shqiptar. Ne jemi të sjellshëm, ne jemi fisnikë dhe zemrat tona janë më të gjëra sesa çdo gjë tjetër në trupin tonë. Kurrë nuk do e harroj atë gjest fisnik dhe unë jam shumë falenderues që e takova atë, pasi mësova çfarë do të thotë të japësh edhe kur ke shumë pak.
Gjatë vizitës sime vitin e kaluar, pash ndryshime të mëdha. Nuk kishte më lypës dhe Tirana ishte e mrekullueshme, sikur të isha në Nju Jork. Por, shihja sikur njerëzit ishin konfuzë dhe sikur kishin harruar rrënjët e tyre. Të gjithë mund të kishin gjestin fisnik e pronarit të kafesë në Shkodër, por besimi kishte humbur pak. Aktualisht, mendoj se personat në Nju Jork më respektojnë më shumë për besimin tim sesa populli im. Akoma s’e kuptoj këtë. Në Nju Jork, kur ndokujt i thuash se je fetar, çdoherë të respektojnë (pavarësisht nëse ata e praktikojnë religjionin ose jo). Gjithsesi, në Shqipëri dhe Malin e Zi, nuk e shoh këtë ndjenjë. Për shembull, unë punoj për një kontraktor dhe bëj marrëveshje me një burrë nga Portugalia (Carlos). Ai e dije se unë e praktikoj islamin dhe ai më jep selam. Kur takoj hebrenjtë, unë u jap Shalom. I respektoj ata. Kur shikoj ata që nuk praktikojnë asnjë fe ne poashtu respektojmë njëri-tjetrin, pasi ndajmë të njëjtën tokë. Nuk ka favorizime. Kurse në Malin e Zi dhe Shqipëri, besoj se problemi më i madh është favorizimi i ndokujt. Vlen ajo kush të njeh dhe jo kush je ti. Edhe në Nju Jork nuk është çrrënjosur tërësisht ky problem, por përsëri konkurrenca e lirë respektohet shumë. Favorizimi që po bëhet në trojet shqiptare, kur disa persona konkurrojnë për të njëjtin vend pune, është shumë i padrejtë që sjell pakënaqësi dhe armiqësi.
Foldrejt.com: Familja juaj ruan akoma traditën shqiptare dhe fetare. Çfarë keni mësuar nga prindërit tuaj?
Babai im, Islam Capric, është shembulli më i mirë që mund të kem unë si shqiptar dhe si musliman. Babai im ishte njëri ndër anëtarët e bordit Qendra Islame Shiptare-Amerikane në Brooklyn në 1977, duke u bërë më pas edhe zv.president i Qendrës në 1986. Ne emigruam në Staten Island në 1990 dhe në 1991 babai im u bë president i AICC në Staten Island. Ai qëndroi në këtë pozitë deri në 1999, kur u bë zv.president, post që e gëzon akoma edhe sot.
Babai im më zgjonte çdo të dielë për të më dërguar në mejtep (prej kur isha 4 vjeç). Unë nuk dëshiroja të shkoj, por babai nuk më linte të flej. Për të ishte e rëndësishme që unë të mësoja gjuhë shqipe dhe fenë time. Unë shikoja çfarë bënte babai im për komunitetin. Babai im punonte 16 orë si taksist në NYC, por ai gjente çdoherë kohë për Qendrën. Ai linte kohë për takime dhe çdoherë shihte të gjente rrugë për të ndihmuar të tjerët. Babai im (Islam) dhe nëna ime (Djulije) më dhanë shembullin sesi unë duhesha të kujdesem për prindërit. Babai im ka tre vëllezër, por ai kujdeset për prindërit prej 1979. Kur ata erdhën këtu, mund të jetonin me ndonjë xhaxha tjetër, por prej 1979 ata kanë jetuar me nënën dhe babain tim. Sot nëna ime Hava është 102 vjeçare, kurse gjyshi im Omer vdiq përpara dhjetë vitesh. Kur nënës sime ju përkeqësua shëndeti (në moshën 100 vjeçare), babai im u mundua që të gjente apartament në përdhesë që të mos ngjiste shkallët gjyshja ime. Babai im është 69 vjeçar por mbështet materialisht dhe me kurajë nënën e tij – ky është shembulli më i mirë çfarë do të thotë dashuria për prindërit.
Mësuesit e mi ishin Isa Hoxha nga Shqipëria dhe Imam Osman Zaga nga Mali i Zi. Mësuesit e gjuhës shqipe ishin Qamil Muja dhe Hajrudin Muja. Unë shpenzova shumë kohë, por nuk mësova anën filozofike të religjionit, pasi çdo vit vitin studentë të rinj dhe fillonim nga e para. Por kur ne u zhvendosëm në Staten Island në 1990, takova personin që do ndryshonte rrënjësisht jetën time – Dr Imam Hafiz Dhulkarnejn Vardar. Kur ne shkuam në State Island, AICC ishte vendosur në 117 Van Duzer Street, Staten Island, NY – (shih foton poshtë).
Xhamia ishte e gjërë sa vetura e zezë e parkuar përballë saj. Kjo ishte tërë xhamia e komunitetit shqiptar-musliman në Staten Island. Kur ne faleshim të xhumajave ishin shtatë deri në dhjetë persona. Për ramazan, mbushej mbase çereku ose gjysma e xhamisë. Vetëm për Bajram xhamia mbushej deng – mbase me 200 persona. Në atë kohë hafizi ishte në të njëzetat, afër viteve të mia – 16 vjeçar – kur filloi të ligjërojë dhe të jetë imam. Tashmë, për dallim që dikur më detyronte ndokush për të shkuar në xhami, filloja vetë të shkoj pas gjimnazit me autobus në xhami për të mësuar nga Hafizi. Ai u kthye në shokun tim më të mirë dhe akoma është miku më i mirë. Për secilin ai është miku më i mirë. Ai kishte vizion, për të ndërtuar shkollë dhe një xhami. Në fillim qeshnin me të, por hafizi më tha mua se asnjëherë nuk duhej të shqetësohej për paratë, por vetëm të besonte në Zotin. Në atë kohë, unë isha nervoz, por sot unë kam gjetur besimin. Pashë mrekullinë që ndodhi. Pashë që komuniteti u bashkua dhe filloi të punojë për interesa të përbashkëta. Njerëz që asnjëherë nuk i njihja, erdhën, punuan dhe më pas u larguan (ata nuk u zhdukën përgjithmonë, por etika e punës shqiptare, i inspiroi ata të punojnë për një qëllim më të madh se vetëvetja). Unë kam parë shumë shqiptarë që në fakt mbase nuk praktikojnë fenë, por punojnë shumë që t’u japin mirësi të tjerëve. Unë jetoj në Nju Jork dhe tashmë kjo është xhamia më e madhe në NYC. Ka edhe komunitete tjera islame, të ndihmuara edhe nga shtetet tjera, por Komuniteti ynë është më i madhi. Ne kemi një lider të madh, por që flet edhe për bujarinë e popullit shqiptar. Jam krenar që jam shqiptar/musliman. Kurrë nuk do harroj nga vij dhe origjinën e prindërve të mi – kjo më ndihmon për modelin që jam unë sot.
Foldrejt.com: Çfarë duhet të mësojnë shqiptarët nga ShBA?
Besoj se shqiptarët mund të mësojnë shumë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky shtet është ngritur mbi principet e drejtësisë dhe inkluzivitetit. Duhej kohë e gjatë që Amerika të arrinte deri në këtë pikë dhe kjo nuk do të thotë se tashmë është perfekt – akoma ka punë për progres – megjithatë, këtu ka arritur të kuptohet çfarë do të thotë të jesh i lirë. Jeta, Liria dhe e drejta për lumturi është premtimi amerikan. Ne këtu shohim emigrantë që vijnë pa e ditur gjuhën, por përmes punës së lodhshme arrijnë suksesin. Jo vetëm që arrijnë suksesin, por ai mund t’i tejkalojë edhe të tjerët që kanë jetuar këtu për gjenerata të tëra. Kjo është arsyeja se pse disat i nënvlerësojnë emigrantët. Por përsëri ëndrra amerikane akoma ekziston dhe unë mendoj se shqiptarët nuk kanë një sistem që PËRPIQET ti jap çdonjërit mundësi të BARABARTA për sukses. SHBA nuk i jep secilit barabarasi ekzakte, por përpiqet. Mundësia e barabartë e punësimit respektohet mjaft dhe mund të padisësh ndokënd, nëse limiton mundësitë tuaja. E kam parë vetë këtë si normale dhe gjithçka përfundon normalisht.
Foldrejt.com: Tash ndodhemi në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe zgjedhjet brenda kampit demokrat në ShBA. Si e shihni zhvillimin e politikës këndej dhe andej oqeanit?
Këtu në ShBA, po kalojmë momente të vështira politike. Kemi arritur një moment kur ideologjia politika dhe babëzia po na përçajnë. Përgjatë historisë çdoherë ka pasur momente të vështira, por partitë kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe kanë punuar me një ndjenjë mirëkuptimi. Edhepse ata nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje, ata nuk shkonin deri atje sa të urrenin njëri-tjetrin. Sot ne shohim urrejtje. Ne po dalim pak nga shinat. Baballarët që bënë Kushtetutën, vendosën parametrat në sistemin tonë. Megjithatë, unë besoj se parametrat janë të mjfart të fuqishme të mbajnë sistemin të bashkuar. Sot vërtet testojmë këtë eksperiment në demokracinë amerikane. Unë shpresoj dhe lutem që të mos e humbim rrugën tonë. Është shumë e mundshme që ne të humbim rrugën, por unë lutem për të kundërtën. Sot kemi faktorë që nuk kanë jetuar përgjatë të kaluarës – ne kemi teknologji. Shpërndarja e informacionit ( i vërtetë ose i falsifikuar) po bën më të vështirë të tregosh ndryshimet.
Sa i takon Kosovës, unë nuk e njoh shumë mirë situatën politike atje, megjithatë nga jashtë duket se nuk ka respekt të mjaftueshëm për njëri-tjetrin. Në fakt edhe SHBA së fundi ka të njëjtin problem, në mos edhe më keq. Por dallimi është se Amerika në fund të fundit është e kompletuar dhe Kosova është rrugës për të kompletuar vetveten.
Kosova duhet të gjejë rrugën për të mirën e popullit të saj, të bëj kompromis dhe të bëhen sëbashku. Kosova duhet të gjejë rrugë për të qenë më mirë sesa SHBA tani. Nuk duhet të shikosh si model politikën e tashme amerikane për asgjë, pasi ky shtet nuk është formuar nga situata e tanishme, por është transferuar nga situata e tanishme. Rekomandimi im i vetëm është se duhet të shikosh te librat e historisë se çfarë Founding Fathers shkruajtën dhe si e dizajnuan Amerikën. Sigurisht, që ti do kesh idetë e tua, por në fund mbisundon Jeta, Liria dhe kërkesa për Lumturi. Lutem që ju ti arrini të gjithë këta, pasi kjo është nëse ne mund të mësojmë nga mënyra e njëri-tjetrit.
Foldrejt.com: Shumë të rinj shqiptarë duan të kërkojnë perspektivën në Perëndim. Çfarë i këshilloni ata?
Do ti rekomandoja gjithë shqiptarët që të mos shohin tani drejt Perëndimit. Ne po përjetojmë vështirësi teknike. Besoj se shqiptarët duhet të përqendrohen në atë çfarë ata janë. Ata janë njerëz të mirë, zemërbardhë dhe mjaft bujarë. Ata janë me të vërtetë të tillë. Shqiptarët çdoherë kanë pasur relacione të mira me njëri-tjetrin, pavarësisht besimit ose ideologjisë. Ne kemi nevojë të përqëndrohemi në dashurinë që të na bashkojë dhe jo në ato forca që mundohen të na përçajnë. Duhet të punojmë mbi respektin e besimit të njëri-tjetrit ose të atyre që nuk kanë fe. Perëndimi po shikon të kthehet pas drejt izolimit dhe nacionalizmit. Shqiptarët duhet të bëjnë të kundërtën dhe të hapin mundësitë për njëri-tjetrin dhe për të tjerët. Duhet t’i mirëpresin emigrantët dhe t’i lejojnë ata të marrin pjesë në proces. Perëndimi ishte i drejtë kur i jepte çdokujt nënshtetësi dhe zë të barabartë. Shqipëria dhe Kosova duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Bëju vend i mundësive jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë njerëzit./Foldrejt.com