Një takim për Sirinë në nivel të zëvendësministrave të jashtëm midis Turqisë, Rusisë, Iranit dhe Sirisë do të mbahet në Moskë më 3-4 prill, tha të dielën ministri i jashtëm i Turqisë, raporton Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
Duke folur para një grupi gazetarësh turq në Qendrën Turkevi në Nju Jork për zhvillimet e fundit në politikën e jashtme turke, Mevlut Cavusoglu tha gjithashtu se Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov do të bëjë një vizitë në Turqi në 6-7 prill në prag të 2-mujorit të tërmeteve të dyfishta.
Cavusoglu tha se do të kenë mundësinë të diskutojnë dimensione të ndryshme të marrëdhënieve dypalëshe gjatë vizitës së Lavrov.
Gjatë takimit, kryediplomatët do të diskutojnë edhe për Sirinë, Libinë dhe çështje të tjera rajonale si dhe zgjatjen e marrëveshjes së grurit.
Procesi politik në Siri, situata e refugjatëve sirianë dhe nevoja për shtimin e ndihmave humanitare për Sirinë pas tërmeteve do të jenë ndër çështjet që do të diskutohen gjatë takimit.
Cavusoglu bëri një vizitë zyrtare në ShBA javën e kaluar për një sesion të posaçëm të Ditës Ndërkombëtare të Mbetjeve Zero në OKB, duke u bashkuar me zonjën e parë turke Emine Erdogan.
Më 15 dhjetor 2022, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 30 marsin Ditën Ndërkombëtare të Zero Mbetjeve në një rezolutë historike të paraqitur nga Turqia së bashku me 105 vende të tjera.
Projekti Zero Mbetje u lançua nga zonja e parë me synimin për të nënvizuar rëndësinë e mbetjeve zero në luftën kundër krizës klimatike. /FolDrejt/