Drejtoresha e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Rochelle Walensky tha të martën se Shtetet e Bashkuara duket se po shkojnë drejt daljes nga pandemia duke theksuar se në shtatë ditët e fundit, mesatarja e numrit të infeksioneve të reja dhe vdekjeve si pasojë e virusit, është më e ulta që prej fillimit të pandemisë.
Këshilltari i Lartë i Shtëpisë së Bardhë për COVID-19-n, Andy Slavitt tha se javën e fundit numri i rasteve te reja me koronavirus ishte në rënie në të 50 shtetet për herë të parë që nga fillimi i pandemisë.
Sipas Walensky në më pak se një javë që kur Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave dhe CDC-ja autorizuan përdorimin e vaksinës Pfizer tek adoleshentët 12 e sipër, janë vaksinuar më shumë se 600,000 të rinj.
Ajo gjithashtu vë në dukje se 60% e të gjithë amerikanëve 18 vjeç e lart kanë marrë të paktën një dozë, një shenjë e mirë drejt përmbushjes me lehtësi të objektivit të Presidentit Joe Biden për të vaksinuar të paktën me një dozë 70% të popullsisë deri më 4 korrik.