Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) këshilluan të enjten se për amerikanët e vaksinuar plotësisht nuk do të jetë e nevojshme të mbajnë maska përjashta si dhe mund t’i shmangin ato edhe në pjesën më të madhe të ambienteve të mbyllura.
CDC-ja tha gjithashtu se për njerëzit e vaksinuar plotësisht nuk do të jetë më e nevojshme të ruajnë distancën fizike në shumicën e mjediseve. Agjencia shpreson që udhëzimi të nxisë edhe më shumë amerikanë që të vaksinohen.
Udhëzimi i rishikuar është një hap i rëndësishëm drejt rikthimit tek jeta normale para pandemisë. Megjithatë agjencia rekomandon që personat e vaksinuar të vazhdojnë të mbajnë maska në aeroplane, trena, në aeroporte, qendra masive tranziti, si dhe vende spitale a poliklinika.
CDC-ja tha se njerëzit e vaksinuar plotësisht megjithatë duhet të mbajnë maska kur një gjë e tillë kërkohet nga ligjet federale, shtetërore, lokale, apo territoriale si dhe t’u përmbahen rregulloreve për bizneset apo udhëzimeve në vendin e punës.