Kristiandemokratët konservatorë të Gjermanisë kanë zgjedhur Friedrich Merz, një kritik i ish-kancelares Angela Merkel, si udhëheqësin e tyre të ri me shpresën për të ringjallur partinë nga humbja e zgjedhjeve të përgjithshme vitin e kaluar.
66-vjeçari nga krahu tradicional i CDU-së u zgjodh me një shumicë të madhe mes 980 delegatëve që u takuan me videolidhje të shtunën. Rreth 95% votuan në favor të kandidatit të vetëm.
Pasi kishte dështuar në dy përpjekjet e mëparshme për të siguruar udhëheqjen e partisë në vitet e fundit, Merz e deklaroi veten “thellësisht të prekur” nga mbështetja e partisë.
Pas viteve të politikës centriste nën Merkelin, Friedrich Merz favorizon një rikthim në konservatorizmin tradicional për CDU-në pasi partia pësoi rezultatin më të ulët ndonjëherë në zgjedhjet e shtatorit të kaluar.
Kjo bëri që kandidati për kancelar, Armin Laschet, të jepte dorëheqje, shkruan Euronews, traansmeton Klankosova.tv.
“Ne duhet të jemi një opozitë e fortë,” u zotua Merz, duke shtuar se CDU po synonte fitoren në disa zgjedhje rajonale të këtij viti.
Pas 16 vitesh në pushtet në Gjermani, CDU do të jetë në opozitë për katër vitet e ardhshme. Qeveria e sapoformuar e Olaf Scholz-it përbëhet nga socialdemokratët, të mbështetur nga të gjelbërt dhe partia liberale.
Udhëheqësi i ri konservator akuzoi Scholz-in për mosveprim, duke përmendur debatin mbi vaksinimin e detyrueshëm kundër COVID-19 si dhe krizën e sigurisë në Ukrainë.
Pa sulmuar drejtpërdrejt ish-kancelaren, Merz nuk e fshehu dëshirën e tij për të bërë një shkëputje të pastër nga vitet e Merkelit.
Rivaliteti i tyre daton 20 vjet më parë, kur Angela Merkel, atëherë presidente e CDU-së, e hoqi Merzin nga roli strategjik i presidentit të grupit parlamentar të partisë.
Në vitin 2009 ai u tërhoq nga jeta politike për t’u fokusuar në botën e financave. Si avokat në një firmë të madhe në Dusseldorf, ai bëri pasurinë e tij dhe mori role me ndikim brenda kompanive të mëdha gjermane, duke u larguar si menaxher me Blackrock vitin e kaluar.
Katolik dhe i martuar, baba i tre fëmijëve, Merz zotëron gjithashtu dy avionë, njërin prej të cilëve e piloton vetë.