Nga Brian O’Toole & Daniel Fried “Atlantic Council”
Teksa po e humb qartazi luftën në fushën e betejës në Ukrainë, presidenti rus Vladimir
Putin po përdor kërcënime të nënkuptuara për përdorimin e armëve bërthamore. Shtetet e Bashkuara, vendet e G7-ës, NATO dhe Bashkimi Evropian i janë përgjigjur me shumë guxim këtij shantazhi duke e rikonfirmuar mbështetjen për Ukrainën dhe integritetin e saj territorial.
Për më tepër, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë kanë dërguar mesazhe publike (dhe siç po thuhet edhe privatisht) mbi pasojat e rënda me të cilat do të përballej Rusia, në rast se përdor vërtet çdo lloj arme bërthamore kundër Ukrainës. Edhe pse kjo gjë nuk ka shumë gjasa, shanset e përdorimit të armëve bërthamore ruse kundër Ukrainës nuk janë fare të papërfillshme.
Tek e fundit, Putini befasoi shumë njerëz (edhe pse jo qeverinë amerikane) kur nisi sulmin
e tij të 24 shkurtit kundër Ukrainës. Ndaj sinjalizimi ndaj rusëve mbi pasojat e çdo lloj përdorimi të armëve bërthamor është një ide e mirë. Këto lloj bisedash duhet domosdoshmërisht të përqendrohen tek opsionet ushtarake si pengesa më efektive, por
nuk duhet të përfundojnë me to.
Të gjitha këto masa duhet të përgatiten për t’u vënë shpejt në zbatim nga G7, dhe duhet të koordinohen të paktën në një farë mase me vendet e tjera kyçe, përfshirë Kinën. Përdorimi
i armëve bërthamore nga Rusia kundër Ukrainës, do të kërkonte një përgjigje të shpejtë, gati të menjëhershme nga një koalicion i gjerë shtetesh të interesuara, përtej vendeve aktuale të lidhura me Perëndimin.
Së pari, duhet vendosur një embargo të plotë ekonomike, financiare dhe tregtare ndaj Rusisë. Shndërrimi i Rusisë në një Iran ose Kore të Veriut nga pikëpamja e izolimit ekonomik, duhet të jetë pikënisja morale dhe logjike ndaj çdo përdorimi të armës bërthamore në Ukrainë.
Vendet e G7 dhe BE-së kanë vendosur sanksione deri më tani të jashtëzakonshme për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Por ata janë treguar kryesisht të kujdesshëm në hapat e tyre, për të shmangur pasojat negative në ekonominë globale. Çdo përdorim i armëve bërthamore nga Putin në Ukrainë, duhet të largojë çdo lloj mendimi mbi një reagim të përmbajtur.
Pasi në aspektin moral, një akt i tillë do ta çonte sjelljen e Rusisë përtej mizorive të
kryera nga vende të ngjashme me embargo, si Irani, Siria dhe madje edhe Koreja e Veriut.
Po ashtu Perëndimi do ta ketë të vështirë të vazhdojë të shpresojë se nën Putinin, Rusia mund të jetë një pjesëmarrëse e besueshme në një rend ekonomik ndërkombëtar që mbështetet tek rregullat e dakorduara reciprokisht.
Mund të ketë një lloj tolerance për disa sektorë të tregtisë (energjia dhe ndoshta disa metale specifike) dhe përjashtime për tregtinë e ushqimit dhe produkteve mjekësore, përfshirë eksportet ruse të grurit dhe plehrave kimike. Ndërkohë, të gjitha kompanitë ruse duhet të konsiderohen subjekt i sanksioneve të plota.
Ndërkohë SHBA, BE, Britania dhe vendet e G7 duhet zbulojnë çdo lloj investimi të fshehtë rus në Perëndim, pasi Rusia është e njohur për pastrimin e parave. Sanksionet në një nivel të tillë, do të kenë një ndikim të rëndësishëm negativ mbi ekonominë globale. Por s’ka gjasa që ato të jenë shumë më destabilizuese ekonomikisht, sesa përdorimi i një arme bërthamore në territorin evropian.
Së dyti duhet të sekuestrohen pasuritë shtetërore ruse. Brenda disa ditësh nga sulmi i Putinit në Ukrainë më 24 shkurt, vendet e G7 bllokuan mbi 300 miliardë dollarë rezerva valutore ruse që ruheshin në vendet e tyre. Por kjo masë nuk lejon përdorimin e këtyre fondeve për ndonjë qëllim të caktuar.
Ne kemi parë se ekziston një dëshirë e përhapur për t’i përdorur këto fonde për rindërtimin
e Ukrainës, duke pasur parasysh përgjegjësinë e Rusisë për luftën, dhe nevojën e shmangies së kompensimit të dëmeve nga taksapaguesit e vendeve të G7. Por kjo gjë ka aktualisht pengesa të mëdha ligjore. Përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia, do ta bënte një objektiv të menjëhershëm marrjen e këtyre aseteve për përdorimin e tyre në Ukrainë, përfshirë skenarin e rindërtimit pas një sulmi bërthamor.
Së treti, Rusia duhet të dëbohet nga organizatat ndërkombëtare. Edhe pse u përjashtua
nga G8 që bë sërish G7 në vitin 2014, Rusia mbetet anëtare në jo pak organizata ndërkombëtare. Nëse Moska përdor një armë bërthamore në Ukrainë, duhet të rishikohet
pjesëmarrja e saj në organizata të tjera ndërkombëtare.
Vendi i parë ku duhet kufizuar pjesëmarrja e Moskës duhet të jetë tek organizatat me një fokus ekonomik si G20, dhe institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), dhe ndoshta edhe Organizatën Botërore të Tregtisë. Përjashtimi ose kufizimi i anëtarësimit të Rusisë në cilindo prej këtyre organeve, do të ishte i paprecedentë dhe aspak ishte në kundërshtim me aktet e tyre ekzistuese nënligjore. Kështu FMN-ja do të kërkonte të paktën 85 për qind të anëtarëve me të drejtë vote, për të rënë dakord mbi këtë masë.
Dhe mbështetja politike për një veprim të tillë drastik, mund të jetë më e madhe pas një sulmi bërthamor rus. Po ashtu duhet të rishikohet edhe anëtarësimi i Rusisë në organizatat politike ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE.
Përgjigjet e planifikuara të Perëndimit nuk duhet të bëhen publike, por mund t’i komunikohen që tani qeverisë ruse, por edhe vendeve të tjera të rëndësishme strategjike që kanë qëndruar relativisht neutrale në konfliktin aktual, si Kina, India, Turqia, Afrika e Jugut dhe Arabia Saudite.
Por ky planifikim nuk duhet të pengojë SHBA-në dhe aleatët e tyre që t’i përgjigjen tmerreve që po shkakton tani Putin me armë konvencionale. Ata duhet të përgatiten për më
të keqen, në një kohë që duhet të vazhdojnë të intensifikojnë përpjekjet aktuale në të gjitha aspektet, ushtarake, ekonomike dhe politike, për ta izoluar dhe dobësuar Rusinë, dhe për ta ndihmuar Ukrainën të mbrohet dhe ta fitojë këtë luftë.
Shënim:Brian O’ Toole, anëtar i Qendrës Gjeoekonomike të Këshillit Atlantik. Daniel Fried, anëtar i këtij think-tanku. Gjatë administratës Obama ishte koordinator për politikën e sanksioneve. Po ashtu, ka qenë ndihmës/sekretar i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë gjatë administratës Bush./abcnews.al/