Çekia gjithashtu negocion me Suedinë për blerjen e automjeteve të blinduara luftarake CV-90.
Çekia ka vendosur të nisë negociatat me SHBA-në për blerjen e 24 avionëve Stealth F-35, transmeton Anadolu Agency (AA).
Blerja e avionëve të rinj do të zëvendësojë 14 avionët luftarakë JAS-39 Gripen të prodhimit suedez në inventarin e Forcave Ajrore Çeke, njoftoi kanali i lajmeve CT24.
Vendimi u mor pas një analize nga Forcat e Armatosura Çeke, thuhet më tej. Megjithatë, bëhet e ditur se vendi mund të jetë i hapur për oferta të tjera avionësh nëse marrëveshja nuk mund të arrihet deri në tetor 2023.
Ministria e Mbrojtjes në një postim në Twitter njoftoi anulimin e një tenderi në vazhdim për blerjen e automjeteve të blinduara luftarake.
Ministrja çeke e Mbrojtjes, Jana Çernochova është autorizuar të hapë negociatat me Suedinë për blerjen e automjeteve të blinduara luftarake CV-90, shtoi ministria.
Radovan Vich, një politikan çek dhe deputet në Dhomën e Deputetëve nga radhët e Partisë për Liri dhe Demokraci të Drejtpërdrejtë, kundërshtoi vendimin, duke argumentuar se vendi nuk mund të përballojë një blerje kaq të kushtueshme.
Pavel Ruzicka nga partia ANO 2011 tha se vendimi përmban më shumë motive politike sesa sigurie./FolDrejt/