Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Gjeneratës 2022 të Akademisë së Mbrojtjes – Qendrës për Studime Universitare të FSK-së “Wesley Clark”, është shprehur i lumtur që 17 oficerë të rinj do t’i shtohet ushtrisë së Kosovës.
Ai tha se ndjehet krenar që po vazhdohet rruga e shumë trimave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Është një mëngjes i mrekullueshëm, një kënaqësi të filloj ditën duke e ditur se nga sot, ushtrisë tonë do t’i shtohen edhe 17 oficerë të rinj të cilët do të jenë shtyllë e mbështetje e madhe e ushtrisë së Kosovës. Në këtë ceremoni, shohim shumë qartë rolin tuaj që do të keni në shoqëri. Mbi supet tuaja do të bartni shpresat e atdheut, shpresat e shtetit të Kosovës. Nga tani ju jeni pjesë e ushtrisë së Kosovës dhe jemi shumë krenarë ne dhe familjarët tuaj që po vazhdojmë rrugën e shumë trimave të ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe shumë atdhetarëve të tjerë para jush”.
“Pas katër vitesh studime, ju e kuptoni se çka do të thotë të jesh nën betim, ju e kuptoni përkushtimin dhe obligimin që keni ndaj atdheut e që po të jetë e nevojshme do të jepni edhe jetën tuaj, sepse të jesh ushtarak do të thotë t’i dedikohesh nderit, një jetë të guximshme dhe përkushtim ndaj gjithçkaje më të madhe se vetvetja. Kaq e thjesht është kjo. Përderisa vendi unë lind atdhetar si ju që bëjnë nderin para flamurit tonë, tradita jonë për t’i shërbyer vendit nuk do të vdes kurrë. Ju mbani linjën besnik ndaj vendit dhe mbrojtjes e Kushtetutës, duke mbrojtur liritë tona, duke ditur që besnikëria ka rëndësi çdo herë në mbrojtjen e shtetit dhe ndaj njëri-tjetrit”, shtoi ministri.
Mehaj më tej tha se beteja e radhës për Kosovën është anëtarësimi në NATO, dhe kjo siç tha ai, do të arrihet së bashku me partnerët.
Ai poashtu falënderoi familjarët e kadetëve të kësaj gjenerate, duke iu drejtuar me ‘Frutat nuk bien shumë larg nga trungjet e tyre, andaj faleminderit shumë që keni rritur vajza e djem për t’i shërbyer atdheut’.
“Beteja jonë e radhës është anëtarësimi i Kosovës në NATO, e këtë do ta arrijmë së bashku me partnerët tanë dhe kështu i realizojmë idealin e dëshmorëve tanë. Armiqtë tanë shpresojnë që të mos ketë të ri dhe të reja të bartin mbi supe barrën e atdhetarit, por ju do ta dëshmoni se e kanë gabim, luftoni për idealet tona më të shtrenjta. Familjeve iu them faleminderit. Frutat nuk bien shumë larg nga trungjet e tyre, andaj faleminderit shumë që keni rritur vajza e djem për t’i shërbyer atdheut. Faleminderit edhe familjeve të dëshmorëve, të rënëve e invalidë”, tha Mehaj, njofton Klankosova.tv.