Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Mariano Grossi ka tërhequr vëmendjen për kushtet e punës së personelit në Centralin Bërthamor të Çernobilit në Ukrainë i cili prej rreth dy javësh është nën kontrollin e rusëve, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një deklaratë me shkrim nga IAEA, janë përfshirë qëndrimet e Grossit lidhur me zhvillimet kundër objekteve bërthamore në Ukrainë.
Grossi tha se nga bashkëbiseduesit ukrainas kanë marrë informacion se 210 punonjës në Centralin Bërthamor të Çernobilit i cili dy javë më parë kaloi nën kontrollin e ushtarëve rusë, po mbahen në punë pa ndërprerje dhe pa kryer ndërrime të turneve.
“Personeli në fjalë prej 13 ditësh po mbahet në punë pa ndërprerje në këtë objekt”, tha Grossi i cili tërhoqi vëmendjen se nevojat për ushqim dhe pije për punonjësit përmbushen, por që kanë vështirësi në sigurimin e ilaçeve.
“Situata e personelit që punon në central po përkeqësohet”
“Situata e personelit këtu përkeqësohet çdo ditë e më shumë”, tha Grossi, i cili shtoi se bashkëbiseduesit ukrainas kanë kërkuar të bëhet thirrje për sigurimin e mbështetjes së opinionit ndërkombëtar për të siguruar mundësinë e zgjidhjes së problemit këtu dhe për të lejuar që punonjësit të punojnë me ndërprerje në mënyrë intervale të alternuar.
“Kam shqetësim të thellë për situatën e vështirë dhe të stresuar me të cilën po përballet personeli në centralin bërthamor të Çernobilit dhe rreziqet e mundshme që kjo mund të shkaktojë për sigurinë bërthamore”, tha Grossi, duke i bërë thirrje palës ruse që të bëjë lehtësime që personeli të kryejë ndërrime të turneve në mënyrë të sigurt.
Ai theksoi se mungojnë sistemet e kamerave të përdorura për verifikimin dhe sigurinë e centralit në fjalë dhe se Agjencia ka filluar një hetim për gjetjen e kamerave./FolDrejt/