Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt sipas së cilave Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese më 50.28 për qind të votave. Pas këtij vendimi, Kushtetuta e Kosovës e obligon presidentin e vendit që në një afat prej 30 ditësh të thërras seancën e parë të Kuvendit për të formuar institucionet e reja.
Rezultati përfundimtar i certifikuar sot nga KQZ tregon se Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 deputetë në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike 19 ulëse, Lidhja Demokratike 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë ulëse.
Lista Serbe ka fituar dhjetë ulëset e garantuara për legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës. Dy ulëse ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës ndërsa nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.
Komuniteti i Bashkuar-Adrijana Hoxhiq ka humbur ulësen në Kuvendin e Kosovës pas ankesës kundër saj në PZAP dhe Gjykatë Supreme, derisa në vend të saj ulëse ka fituar Unioni Socialdemokrat i Duda Balje.
Gjithashtu pas ankesave, Iniciativa Rome do të ketë vetëm një ulëse në Kuvend.
Ndërsa Meliza Haradinaj-Stublla e AAK-së që ishte në listën e deputetëve që fituan ulëse në Kuvend, rezultati përfundimtar, pas rinumërimit të disa vendvotimeve tregon se ajo ka mbetur jashtë Kuvendit. Në vend të saj do të jetë deputetja Albana Bytyqi e cila edhe ishte ankuar se Meliza Haradinaj, për të cilën ka dyshime për blerje votash, kishte marrë votat e saj.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka u ka bërë thirrje deputetëve të ardhshëm të Kosovës që të kenë prioritet reformën zgjedhore.