Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se ka ngritur padi kundër gazetës Nacionale, gazetarit Berat Buzhala dhe zyrtarit të MINT-it, Enver Hajrullahut, transmeton Fol Drejt.
Kjo padi vjen si pasojë e publikimit të disa audio-incizimeve, ku flitet për afera vaji e gruri.
Ndërkaq, ministrja Hajdari i ka cilësuar këto audio-incizime si të pavërteta dhe shpifje.
“Sulmet e vazhdueshme shpifjet, fyerjet dhe të pavërtetat, nuk duhet të lejojmë të kthehen në diçka të zakonshme, sepse dëmi që i bëhet opinionit publik, shoqërisë tonë mund të jetë i jashtëzakonshëm.
Tentimet e dështuara për të cënuar integritetin dhe dinjitetin tim, përmes disa audio-incizimeve por edhe duke i dhënë vehtes të drejtën për të shpifur, duke shantazhuar dhe shpërndarë informacione të pavërteta, do të marrin epilog në organet e drejtësisë.”, ka thënë ndër tjerash ministrja Hajdari.