Çështja e Kosovës nuk dihet nëse është në agjendën e Këshillit të Evropës.
Zëdhënësi i Këshillit të Evropës, Daniel Holtgen, në një përgjigje për Klankosova.tv, ka thënë se diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale.
“Në terma më të përgjithshëm, procedurat për t’u bërë anëtar i KiE-së janë të përcaktuara në Statutin e KiE-së (veçanërisht në nenet 4, 5 dhe 20) dhe në Rezolutën Statutore që përcakton rolin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në proces. Ne dëshirojmë të tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë”, është shprehur Holtgen për Klankosova.tv.
Ndërsa sot mediat serbe raportuan se çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është hequr nga rendi i ditës.
Kujtojmë se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të këtij viti.