Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka takuar politikanët shqiptarë Shaip Kamberin e Ardita Sinanin, me të cilët ka biseduar për gjendjen e shqiptarëve në Luginë, shkruan Fol Drejt.
Për këtë ka njoftuar vetë i pari i LDK-së, nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Sot, me bashkëpunëtorë, pritëm në takim deputetin Shaip Kamberi zërin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë.
Me Shaipin, nënkryetaren Ardita Sinani, si dhe me bashkëpunëtorë të tjerë partiak nga PVD, biseduam për gjendjen e shqiptarëve në Luginë dhe domosdoshmërinë e mbështetjes institucionale ndaj popullatës shqiptare atje. Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë, mbështetja financiare për Luginë si dhe sigurimi i teksteve falas shkollore për 4 mijë nxënës shqiptarë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc janë disa nga temat që do t’i ngrisim së bashku në çdo adresim tonin institucional dhe jo vetëm.
Shaipi do të vazhdojë guximshëm e bindshëm të ushtrojë – siç dhe ka ushtruar deri më tani – zërin e shqiptarëve në çdo mundësi të tij” – ka shkruar Abdixhiku./FolDrejt/