Muaji Ramazan, i cili cilësohet si më i zgjedhuri në kalendarin islamik, kulmon me një festë, atë të Fitër Bajramit, shkruan Fol Drejt.
Por prej nga rrjedh ky emër i kësaj feste dhe çfarë domethënie ka ajo?
Siç dihet, për besimtarët muslimanë Ramazani përjetohet si një muaj nëpërmjet të cilit ata i rikthehen vetvetes, provojnë t’i “gërryejnë” veset e këqija nga qenia e tyre dhe në këtë mënyrë ta forcojnë lidhjen e tyre me Zotin. Në këtë mënyrë, duke mos ngrënë gjatë ditës, duke mos folur gjëra të kota, duke provuar të bëjnë vepra të mira, ata provojnë ta përmirësojnë veten e tyre.
Kjo vet-disiplinë e rrebtë njëmujore, përfundon me festë. Pikërisht emri Fitër Bajram, e ka këtë domethënie: rikthim në rutinën e mëparshme.
Sipas njohësve të islamit, togfjalëshit të gjuhës arabe “Lidul Fitër”, i është shtuar nocioni turk “Bajram”, ndërsa në këtë mënyrë ka mbetur edhe te shqiptarët dhe përgjithësisht muslimanët e Ballkanit.
Festa manifeston një lloj triumfi të qenies së besimtarit mbi egon e tij, përkatësisht një forcim të mëtejmë të bindjes rreth ekzistencës së Zotit.
Po ashtu nocioni Fitër ka lidhje me masën e ndihmave, përkatësisht mjeteve që besimtarët i ndajnë nga pasuria e tyre për të varfrit. Ky dimension i solidaritetit me skamnorët, vihet në dukje sidomos gjatë ditëve të fundit të këtij muaji.
Në ditën e Festës së Fitër Bajramit, besimtarët shkojnë në xhami dhe e falin një namaz enkas kushtuar kësaj dite. Pas faljes së namazit, ata kthehen në shtëpitë e tyre, hanë drekë dhe e shfrytëzojnë ditën për t’i vizituar të afërmit. Kjo atmosferë festive, veç që forcon lidhjet me të afërmit, solidarizim me të varfrit, ngjallë ndjenjën e rëndësisë së individit brenda komunitetit./FolDrejt/