Policia e Kosovës gjatë operacionit të saj në Banjskë të Zveçanit, ka sekuestruar një xhip të tipit “Mercedes G-Class”.
Sipas informatave të policisë, i njëjti i takon kriminelit serb, Milan Radojiçiq, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në sulmin terrorist të së dielës në veri.
Ndërsa, siç raporton Klan Kosova, në xhipin e Radojiçiqit u gjetën edhe targa false të automjeteve të forcave paqeruajtëse të KFOR-it. Ky i fundit dyshohet se është në mesin e terroristëve të plagosur gjatë sulmit në veri të Kosovës dhe se aktualisht ndodhet në spital.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar dje se në një nga veturat e grupit terrorist, janë gjetur edhe dokumente që dëshmojnë përfshirjen direkte të kriminelit serb, Milan Radojiçiq, në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në veri.
Ai ka prezantuar një dokument, sipas të cilit Milan Rajojiçiq rezulton të jetë pajisur nga Policia e Kralevës me leje për përdorimin e gjashtë armëve të llojeve të ndryshme. Të gjitha këto leje del t’i jenë dhënë në vitin 2017.
“Në këto materiale kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit Millan Radoiçiq që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Ai është nënkryetar i Listës Serbe që është e bashkërenduar me Aleksandar Vuçiqin”, tha Ministri Sveçla gjatë prezantimit.