Sot po shënihet Dita Ndërkombëtare e Demokracisë dhe Kuvendi i Kosovës ka pasur dyert e hapura për çdo qytetar.
Për këtë foli edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se Kosovës i duhet më shumë se kurrë, qartësia që ofron demokracia me vlerat e saj, përcjell Fol Drejt.
“Me dyer të hapura për çdo qytetar të vendit tonë dhe me shumë aktivitete, në ambientet e Kuvendit të Kosovës shënuam sot Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Demokracia nuk është thjesht alternativa më e mirë mes gjithë të tjerave, ajo është e vetmja alternativë e vlerave dhe vizionit të një bote të progresit, të drejtësisë dhe paqes afatgjate, barazisë dhe dinjitetit.
Mes propozimeve autokratike dhe teknokratike, si përplotësuese të njëra-tjetrës, ku qytetarët bëhen spektatorë të fatit të tyre të dyshimtë, duhet të angazhohemi gjithnjë për të fuqizuar modelin e qytetarit të aktit politik dhe qytetar, çdo ditë dhe kudo. Sot më shumë se kurrë na duhet qartësia që na ofron demokracia me vlerat e saj.
Në këtë ditë të shënuar, në ambientet e Kuvendit të Kosovës ndihej pikërisht kjo atmosferë e larmisë së imagjinatës së ushtruar nëpër ecurinë e aktiviteteve dhe e natyrshmërisë së pranisë qytetare pikërisht në institucionin përfaqësues të demokracisë, atë të fjalës së lirë për interes publik”, u shpreh ai./FolDrejt/