Nga Dario Ronzoni, Linkiesta
Një përplasje globale – dhe në distancë – një garë për dominim, apo edhe “vetëm” për kontrollin e planetit. Rivaliteti midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës të kujton shumë nga aspektet e Luftës së Ftohtë.
Megjithatë, pa një nga protagonistët e dikurshëm (Bashkimi Sovjetik nuk ekziston prej 30 vjetësh), dhe në një kontekst të ndryshuar gjeopolitik. Sepse nëse në atë kohë ishte Amerika, ajo që u ofronte vendeve të tjera një model zhvillimi dhe suksesi, tani duket se këtë rol po e zë Kina, duke shqetësuar në këtë mënyrë botën perëndimore. Siç e thekson ekonomisti i njohur Branko Milanovic në një artikull në “Foreign Affairs”, Pekini ka pasur prej kohësh një prani të rrënjosur thellë në vendet në zhvillim. Ai u ofron atyre para dhe projekte konkrete, shmang ndërhyrjet në çështje politike, dhe fiton me lehtësi miqësinë e tyre.
Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi në përgjithësi, duhet të fillojnë të mendojnë rikthimin në garë edhe në këtë fushë. Por këtë herë nevojitet një qasje e re dhe e ndryshme nga ajo e praktikuar dekadat e fundit. Pra me fjalë të tjera, ne duhet të sillemi si Kina. Por me njohuritë dhe aftësitë teknologjike të Amerikës.
Në një farë mënyre, ky është një rikthim në të kaluarën. Pas Luftës së Dytë Botërore, shqetësimi kryesor i Shteteve të Bashkuara ishte rindërtimi i shpejtë i ekonomive të vendeve evropiane, Japonisë dhe Koresësë Jugut përmes ndihmës së drejtpërdrejtë dhe një tregu të hapur.
Kjo u realizua përmes Planit Marshall, qëllimi përfundimtar i të cilit ishte të ndërtonte një klasë të mesme të madhe, e cila do t’i rezistonte presioneve të forta nga partitë komuniste, dhe do të mbronte përparësitë e pronës private. Ky plan ka mbetur në histori si një nga simbolet e dashamirësisë së amerikanëve.
Në vitet në vijim, qasja ndryshoi dhe u bë më e paqartë. Në disa rate ndërhyrja amerikane mbështeti regjime reaksionare dhe aspak të interesuara për zhvillimin ekonomik (mbështetja për Kubën para-revolucionare, Republikën Dominikane dhe Vietnamin e Jugut daton pikërisht në këtë fazë), por gjithashtu edhe për politikat e reformës agrare dhe tëbazuar në rritjen e ekonomisë (si në Kolumbi, Korenë e Jugut dhe Tajvan).
Pikërisht në atë periudhë,sidomos me John F.Kennedy -u zyrtarizua një teori koherente mbi zhvillimin ekonomik, e përcaktuar nga puna e ekonomistit W.Rostow “Fazat e rritjes ekonomike”. Sipas kësaj doktrine, që do të vihej në zbatim në 20 vitet që pasuan, secili vend mund të synonte një rritje ekonomike “moderne” dhe të qëndrueshme duke rritur dhe investuar më pas kapitalin e vet.
Një nga efektet e para do të ishte një rritje e pabarazisë, e cila më pas do të ulej me kalimin e kohës, kur popullsia u bë më e arsimuar dhe reduktoi hendekun midis pagave. Në atë pikë, si të ishte një fakt i natyrshëm, do të krijohej një shtresë e mesme e pasur, që do të kërkonte ndryshime institucionale, të orientuara drejt regjimeve demokratike.
Ky model ka funksionuar në shumë pjesë të botës. Për shembull në Korenë e Jugut dhe Tajvan, por edhe në Botsvana, Kosta Rika, Mauritius, Portugali dhe Spanjë. Pastaj gjërat ndryshuan sërish. Erdhi epoka e neo-liberalizmit, zvogëlimi i rolit të shtetit dhe ndërhyrjet e tij, dhe mbi të gjitha ra Bashkimi Sovjetik.
Brenda një dekade, nuk u promovua më rritja dhe rishpërndarja e pasurisë, por reformat institucionale. Qeverive kombëtare të vendeve në zhvillim,ju kërkua të ulin shpenzimet, të ulin taksat, të heqin rregullat dhe të privatizojnë. Ndërkohë, duke pasur më pak konkurrencë, nuk u ndje më nevoja për të bindur vendet e tjera mbi epërsinë e sistemit amerikan (i qartë, dhe i dukshëm përmes fakteve), duke ulur vëmendjen që i kushtohet botës në zhvillim.
Në këtë kontekst, pasi u arrit zhvillimi, hyri në lojë Kina. Duke aktivizuar kontratat dhe tenderët e saj në Afrikë, dhe duke e ushtruar ndikimin në të gjitha zonat fqinje. Përballë kësaj dukurie, është e qartë se as Shtetet e Bashkuara dhe as Evropa nuk kanë më një filozofi të qartë të zhvillimit ekonomik.
Ato nuk kanë më një manual për të këshilluar vendet e tjera. Për fatin e tyre të mirë, as Kina nuk e ka një të tillë. Ose më saktë – vazhdon Milanovic – nuk ka një “manual” të zyrtarizuar dhe specifik. Në përgjithësi, duke përdorur përvojën e saj (eksperimente ekonomike nga qeveritë rajonale, të cilat nëse janë të suksesshme dhe efektive promovohen edhe nga qeveria qendrore), Pekini përqendrohet mbi të gjitha në disa fusha, si për shembull infrastruktura.
Në vitin 2000, Kina nuk kishte asnjë sistem hekurudhor të shpejtësisë së lartë. Njëzet vjet më vonë, ai është vendi i parë në botë në këtë rajon, me 40.000 kilometra linjë hekurudhore që e përshkon vendin në të gjithë cepat. Dhe pikërisht për këtë arsye, Pekini këmbëngul shumë mbi këtë fushë kur angazhohet me vende të tjera.
Metoda kineze është efektive. Krahasuar me atë perëndimore-që premton ndihmë në bazë të reformave strukturore të orientuara drejt demokracisë- ajo është më e shpejtë. Jep para menjëherë dhe lejon arritjen e rezultateve të prekshme për një kohë shumë të shkurtër (plus nuk ndërhyn aspak në çështjet politike, diçka që është shumë e mirëpritur nga regjimet autokratike).
Sipas Milanovic, edhe Amerika (edhe Perëndimi në përgjithësi), duhet të sillen pak a shumë njëlloj si Kina. Në vend se të ofrojnë plane afatgjata dhe ndryshime “të moderuara” në politikë dhe në aspektin e të drejtave të njeriut, ato duhet të investojnë në ndërhyrje më vendimtare apo më “të vështira”.
Për shembull, gjëra të prekshme si digat apo rrjetet energjitike, për të cilat kontinenti afrikan ka ende një nevojë shumë të madhe. Por edhe kanalizimet, ujë i pastër dhe industrializimi. Pastaj vijnë masat për të mbështetur arsimin, zhvillimin urban, rrjetet pa tel, shëndetin.
Dhe një sistem shpërblimi në para për qytetarët më të aftë apo ata që kanë ide premtuese. Kjo është një ide e dashur edhe nga presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden, dhe është padyshim më efektive nga sa është bërë deri më tani. Ndihma që ofrohet duhet të jetë konkrete dhe të japë rezultate të dukshme në një kohë të shkurtër.
Së fundmi, përfituesit kryesorë do të jenë vendet në zhvillim. Ashtu si në epokën e Luftës së Ftohtë, këto të fundit do të jenë në gjendje të kthehen në lojën me dy porta, duke zgjedhur ofertuesin më të lartë në bazë të leverdisë që kanë.
Nuk do të ishte një situatë ideale për Amerikën dhe Kinën, por pa dyshim do jetë e tillë në nivel global. Nga një rritje e qëndrueshme ekonomike, sidomos në zona të vështira siç është Afrika, do të përfitonte i gjithë planeti, dhe jo vetëm për sa i përket tregut, por edhe të zhvillimit ekologjik, social dhe atij politik. /abcnews.al