Alija Izetbegoviq mbetet një ndër figurat më markante boshnjake, e mbase edhe ballkanike. Ai nuk ishte vetëm një politikan që e udhëhoqi Bosnjen në ditët e saj më të vështira, por edhe një ideolog e vizionar, shkruan Fol Drejt.
Nga kujtimet e tij ai veçon përballjet e vështira me serbët, në kuadër të bisedimeve për pavarësinë e Bosnjës.
“Në jetën time të gjatë kam bërë shumë punë të ndryshme: si i burgosur kam rrëmihur tokë, kam bartur llaç, kam prerë drurë në mal e më vonë, si njeri i lirë, kam menaxhuar me një objekt në ndërtim, kam qenë përfaqësues në gjyq, kam shkruar artikuj … Prapëseprapë, puna ime më e vështirë ishin bisedimet.
Të negociosh, do të thotë të vendosësh, ndërkaq të marrësh vendime është puna më e vështirë për qenien fatkeqe njerëzore.
Problemi im ishte aty se as kam mundur të fitoj mirë paqen, as të zhvilloj mirë luftën. Negociatat zhvilloheshin në kushte të shantazhit dhe me shpatë mbi kokën e Bosnjës. Populli, i sulmuar nga armiku shumë më i fuqishëm dhe më i përgatitur, u ishte nënshtruar vuajtjeve të vështira, ndërsa paqja që ofrohej çdoherë ishte jo vetëm kundër parimeve të mia, por edhe kundër drejtësisë elementare. Vështirë e kam pasur ta pranoj një paqe të tillë, e më vështirë të kthehesh në shtëpi me porosinë se aktiviteti vazhdon. Dilemat e mia ishin të vështira. Jam ndier si i lidhur” – kujton ai./FolDrejt.com/