Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se pret të “stabilizohet” situata në rajonet ukrainase – që ai pretendon se i ka aneksuar – pasi ushtria ruse është përballur me ngecje dhe ka humbur kontrollin e disa qyteteve kyçe në Ukrainë.
Më herët, Ukraina pretendoi fitore të reja ndaj forcave ruse në rajonin lindor të Luhanskut, teksa Kremlini u zotua se do të rimarrë territorin e humbur në kundërofensivën ruse.
Rusia ka shpallur aneksimin e rajoneve ukrainase të Luhanskut, Donjeckut, Hersonit dhe Zaporizhjës, pasi në këto rajone u mbajtën referendume të rreme.
Putin tha se të ashtuquajturat referendume kanë qenë “absolutisht transparente”.
Referendumet e rreme janë dënuar nga liderët botërorë, teksa ka pasur edhe raportime se ukrainasit janë detyruar që të marrin pjesë në to.
Putin tha se ishte i “befasuar” nga rezultatet e referendumeve, që Kievi dhe Perëndimi i cilësojnë të rreme dhe farsë.
Lideri i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se Uashingtoni “nuk do t’i njohë kurrë territoret e Ukrainës, si diçka tjetër përveç si Ukrainë”.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, dhe në shtator Putin shpalli një mobilizim të “pjesshëm” ushtarak për të forcuar radhët në Ukrainë, në kohën kur forcat e Kievit po raportojnë për rimarrjen e kontrollit të disa territoreve që ishin pushtuar nga forcat ruse./REL.