Tash e sa javë, protestuesit palestinezë dhe policia izraelite janë duke u përleshur në baza ditore në dhe përreth Qytetit të Vjetër të Jerusalemit.
Atje ndodhen vendet kryesore fetare – të shenjta për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët.
Jerusalemi ka qenë, në fakt, skenë e konfrontimeve të dhunshme midis hebrenjve dhe arabëve tash e 100 vjet dhe mbetet një nga qytetet më të kontestueshme në botë.
Përleshjet e fundit filluan një muaj më parë, kur Izraeli bllokoi disa tubime të palestinezëve, në fillim të Muajit të shenjtë të Ramazanit.
Pasi ato kufizime u zbutën, plani për të dëbuar dhjetëra palestinezë nga një lagje e Jerusalemit Lindor vazhdoi të nxiste konfrontime.
Të hënën, qindra palestinezë u plagosën në përleshjet me policinë izraelite. Protestuesit hidhnin gurë në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit gaz lotsjellës dhe plumba gome. Disa policë u plagosën po ashtu.
Përse Jerusalemi është gjithmonë në prag të shpërthimit?
Izraeli e sheh Jerusalemin si kryeqytet të tijin “të unifikuar” dhe “të përjetshëm”.
Ai e ka aneksuar Jerusalemin Lindor – i cili përfshin edhe Qytetin e Vjetër – në luftën e vitit 1967, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Gazën.
Palestinezët i duan këto territore për shtetin e tyre të ardhshëm, ndërsa Jerusalemin Lindor e shohin si kryeqytet të shtetit të tyre.
Aneksimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli nuk njihet nga shumica e vendeve të botës dhe fati i kësaj pjese mbetet ndër çështjet më të komplikuara në procesin e paqes, i cili ka ngecur më shumë se një dekadë më parë.
Izraelitët, të hënën, do të shënonin Ditën e Jerusalemit, një festë kombëtare që shënon aneksimin. Në vitet e kaluara, mijëra izraelitë – kryesisht nacionalistë fetarë – marshonin nëpër Qytetin e Vjetër, duke përfshirë edhe Lagjen Myslimane, gjë që shumë palestinezë e konsideronin si provokim.