Miroslav Lajçak, i dërguar special i Bashkimit Evropian për çështjen e dialogut, është takuar dje me Presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti, për të diskutuar rreth dokument-aneksit të Propozimit evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Fol Drejt.
Pas realizimit të këtyre dy takimeve të ndara, diplomati evropian ka thënë se takimet ishin të frytshme dhe konstruktive.
“Me kryeministrin Kurti patëm një bisedë konstruktive, shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Po ashtu u takova me presidenten Osmani, me të cilën pata bisedë dhe do të takohem edhe me krerët e opozitës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst” – u shpreh dje Lajçak.
Lajçak e ka cilësuar si formal aktin e nënshkrimit të marrëveshjes, duke theksuar se për BE-në i rëndësishëm është finalizimi i procesit, e pastaj formalizimi. Në këtë plan, ai nuk e ka zbehur edhe rolit të parlamentit në të cilin ka thënë se duhet të ratifikohet marrëveshja. Sipas tij, 18 marsi do të jetë dita e nënshkrimit të marrëveshjes, po qe se të dy palët dakordohen.
Lajçak, përndryshe ishte i ftuar edhe në emisionin “Context” në ATV ai tha se i ka ofruar kryeministrit 15 modele evropiane të Asociacionit, të cilat kanë dëshmuar se nuk e bëjnë shtetin jofunksional.
Lajçak në Prishtinë do të qëndrojë edhe sot, ndërsa me datat 13 dhe 14 do të qëndrojë në Beograd./FolDrejt/