Këto janë shkurtimisht ato se çfarë kanë deklaruar Blinken, Osmani, Vuçiq, Kurti e Stoltenberg për situatën në veri të Kosovës:
Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Ai ka paralajmëruar se situata aktuale i pengon proceset e integrimit euroatlantik për të dyja vendet.
Në anën tjetër presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë akuzuar njëri-tjetrin për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe. Osmani fajësoi “bandat kriminale” serbe për dhunën atje.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “nuk e paramendon” zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në komunat veriore të vendit, pa u larguar “bandat kriminale të nacionalizmit e shovinizmit të djathtë ekstrem”.
Ndërsa, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ushtarake është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të ruajtur paqen, transmeton Fol Drejt.