Ende pa mbërritur në vendngjarje, përmes targës policia kuptoi se kush ishte viktima. Denoncuesi i aferës së municioneve, njeriu që kishte ekspozuar emrin e Shkëlzen Berishës, papritur ishte gjetur i vdekur në një aksident të çuditshëm rreth 3 kilometër larg Voskopojës.
Rreth 1.25 metër larg trupit gjendej një bidon metalik, natriban dhe një çelës me plastikë me numrin 107, pra, çelësi i hotelit. Rreth 2.5 metër nga kufoma ndodhej një aparat celular i fikur dhe disa sende personale të tij. Rreth 3 metër larg nga kufoma, me drejtim lindjen gjenden dy çanta me fishekë arme gjahu. Në krahun lindor të trupit gjendet armë gjahu teke e markës Rafaello Beneli me numër serie F165060, e njëjtë me armën e regjistruar në emër të Kosta Trebickës. Në vendngjarje u gjetën xhama të thyer dhe copëza stukoje të ngjashme nga ato që lëshohen nga përplasjet e automjeteve.
42 metër nga trupi i pajetë u konstatua i ndezur mjeti tip Nisan kabriole, me ngjyrë të kuqe në pronësi të Kosta Trebickës. Makina kishte dëmtime të ndryshme të ngjashme me ato që krijohen nga rrokullisja. Bazuar vetëm në kqyrjet paraprake, kryeministri i kohës Sali Berisha, nxitoi ta klasifikonte ngjarjen aksidentale. Kishte humbur jetën njeriu që zbuloi implikimin e djalit të tij ne aferën e Gërdecit.