Gjatë pasdites së djeshme, Kryeministri Albin Kurti takoi Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, transmeton Fol Drejt.
Sipas Zyrës për Komunikim Publik, “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të edicionit të 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që po mbahet në Greqi, ka zhvilluar një takim edhe me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.”
Në komunikatën zyrtare të lëshuar nga kjo zyrë, thuhet se ata kanë pasur një bisedë të gjatë ndërmjet tyre:
“Në një bisedë të gjatë mes tyre, u bisedua për de-eskalimin e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në këtë proces.
Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-Kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit. Ky edicion i sivjetmë titullohet “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus” (Which World in 2030? Addressing the Icarus Syndrome).”
Kjo është hera e gjashtë që kryeministri Kurti është pjesëmarrës në këtë organizim./FolDrejt/