Klubi i Chelseat përmes një komunikate ka bërë të ditur se tashmë ka pronarë të rinj.
Në njoftimin e klubit, thuhet se pronarët e rinj të udhëhequr nga miliarderi amerikan Todd Boehly bashkë me Clearlake Capital, Mark Walter e Hansjoerg Wyss, ku vlera totale e klubit do të shkojë për bamirësi, sipas Abramovich.
“Nga investimi total që po bëhet, 2.5 miliardë funte do të aplikohen për blerjen e aksioneve në Klub dhe këto të ardhura do të depozitohen në një llogari bankare të ngrirë në Mbretërinë e Bashkuar me synimin për të dhuruar 100% për qëllime bamirësie, siç konfirmohet nga Roman Abramovich. Do të kërkohet miratimi i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që të ardhurat të transferohen nga llogaria bankare e ngrirë e MB”, thuhet në njoftimin e klubit, përcjell Fol Drejt.
Tutje, thuhet se pronarët e rinj do të investojnë 1.75 miliardë funte në investime të mëtejshme në stadiumin Stamford Bridge, në akademi, në ekipin e grave dhe financimin e vazhdueshëm për fondacionin “Chelsea”.
Shitja pritet të përfundojë në fund të majit, duke iu nënshtruar të gjitha miratimeve të nevojshme rregullatore.
Kujtojmë se ish-pronari i Chelseat, Roman Abramovich, i cili ishte për 20 vjet në krye të klubit është detyruar ta shesë ekipin e tij pasi Mbretëria e Bashkuar e sanksionoi atë pasi e sheh si person të afërt me njeriun që dha urdhër që të nis lufta në Ukrainë, Vladimir Putin./FolDrejt/