Të dielën më 26 mars, Fondacioni Chelsea do të presë një Iftar të hapur në stadiumin Stamford Bridge, në atë që do të jetë hera e parë për klubin e Chelsea-t dhe hera e parë në një stadium të Premier Leagues.
Kjo do të mbahet në kuadër të Muajit të Bekuar të Ramazanit, muajit islam të agjërimit, i cili këtë vit fillon nga e mërkura e 22 marsit deri të premten e 21 prillit.
“Iftari i Hapur u lejon muslimanëve që kremtojnë Ramazanin mundësinë për t’u mbledhur për të prishur agjërimin së bashku, si dhe për të ofruar një hapësirë të sigurt për dialog dhe angazhim të ndërsjellë”, thuhet në komunikatë, e cila jep shpjegime rreth Muajit të Ramazanit, Iftarit, etj.
“Një numër xhamish lokale dhe anëtarë të komunitetit mysliman të Chelsea-t, si mbështetës dhe nxënës shkollash, do të ftohen të marrin pjesë, së bashku me stafin e Chelsea FC.”
“Iftari i Hapur do të zhvillohet në bashkëpunim me Projektin e Çadrës së Ramazanit, një shoqatë bamirëse e vlerësuar me çmime e themeluar në vitin 2013 me një mision për të bashkuar komunitetet dhe për të zhvilluar të kuptuarit e Ramazanit.”
“Ne jemi të nderuar të sjellim Open Iftar në Stamford Bridge, me rastin e përvjetorit tonë të 10-të tonë. Ky do të jetë klubi i parë i Premierligës në histori që do të presë një event të hapur iftar.”, tha Omar Salha, themelues dhe CEO i organizatës.
Simon Taylor, kreu i Fondacionit Chelsea, tha: “Jam i lumtur të shpall Iftarin tonë të Hapur së bashku me Projektin e Çadrës së Ramazanit dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë që jemi klubi i parë i Premier League që e bëjmë këtë. Njohja e Ramazanit dhe komunitetit tonë mysliman është një aspekt thelbësor i punës sonë në promovimin e tolerancës fetare dhe mezi pres t’i mirëpres të gjithë të dielën më 26 mars.”. /FolDrejt/