Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së (CIA) ka paralajmëruar Ukrainën kundër sulmit të tubacioneve të gazit të ‘Rrjedhës Veriore’ verën e kaluar, pasi siguroi informacione për një komplot ukrainas për të shkatërruar lidhjen jetike të energjisë midis Rusisë dhe Evropës, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Duke u bazuar në një informacion nga zyrtarë të shërbimit të inteligjencës holandeze, gazeta ‘The Wall Street Journal’ raportoi se CIA e përcolli mesazhin në muajin qershor.
Pavarësisht se e mori seriozisht paralajmërimin, sipas zyrtarëve CIA kishte dyshime në lidhje me aftësinë e Ukrainës për të ekzekutuar një sulm të tillë, që përfshinte vendosjen e ngarkesave shpërthyese thellë nën Detin Baltik.
Por, theksohet në raport, më 26 shtator tubacionet ishin në shënjestër, megjithëse Ukraina ka mohuar fuqishëm çdo përfshirje në sulm.
Raporti tha se zyrtarët e inteligjencës ushtarake holandeze informuan CIA-n lidhur me planin e një ekipi sabotues ukrainas për të marrë me qira një jaht në vijën bregdetare të Detit Baltik dhe për të punësuar zhytës për vendosjen e eksplozivit përgjatë katër tubacioneve të ‘Rrjedhës Veriore’.
Javën e kaluar, ‘Washington Post’ raportoi se CIA qershorin e kaluar mori informacione nga një shërbim evropian i inteligjencës se një ekip prej gjashtë personash i forcave të operacioneve speciale ukrainase synonte të sabotojë tubacionin.