Patrick Byrne, biznesmen amerikan dhe partner i afërt me ish-presidentin amerikan Donald Trump, ka ngritur pretendime kinse ish-Prokurori i Prokurorisë së Specializuar, Jack Smith, ka kërkuar 100 milionë dollarë ryshfet për lirimin nga akuzat të një, siç pretendon ai, “kryetari të shtetit” për krime lufte në Hagë.
Ai e ka implikuar Smith për një “skemë korruptive” brenda Gjykatës Speciale. Byrne nga mediat prestigjioze përshkruhet si konspiracionist, teksa artikulli është publikuar në platformën hulumtuese “DeepCapture” në kohën kur Trump po hetohet prej Smith për sulmin në Capitol Hill.
Në dokumentin që është publikuar në “DeepCapture”, Byrne pretendon për një “skemë korruptive” përbrenda Gjykatës Speciale në udhëheqjen e ish-Prokurorit Smith, shkruan Gazeta Insajderi.
“Jack ka dërguar njerëz në Evropën Lindore për t’ua përcjellë mesazhin e mëposhtëm palëve të ndryshme: Ne e dimë se gjatë luftës civile në Jugosllavi ju keni vrarë disa njerëz. Jack do t’ju padisë, por nëse do vendosësh X shumën në një valixhe që unë do t’ia dërgojë atij, problemet e tua largohen”, shkruhet në dokumentin e pretenduar nga Byrne.
Në artikull ka pretendime se Smith ka kërkuar ryshfet në shumën prej 100 milionë dollarësh prej “një kryetari të shtetit” me qëllim që të lirohet një “kryetar shteti” nga akuzat për krime lufte, pa specifikuar se kush.
Sipas këtij artikulli, Smith iu refuzua shuma prej 100 milionë dollarëve nga një “kryetar shteti” i Kosovës.
Byrne pretendon se krejt këto akuza janë mësuar nga “sinjalizuesit evropianë”.
“Ne i mësuam këto pretendime falë sinjalizuesve evrpoianë të cilët jo vetëm që ndanë historitë por edhe shkruajtën deklarata të detajuara, siguruan tekste dhe të dhëna financiare etj. Lexojeni vetë dokumentin me 151 faqe. Nga pozita ime, Jack duket i shthurur”, thuhet në artikull.
Kush është biznesmeni amerikan, që kreu favore për Trump-in?
Gazeta prestigjioze amerikane e përshkruan Byrne si person që kishte aferë me një agjente ruse, gjë që ia “përfundoi karrierën” biznesmenit amerikan. Sipas saj, Byrne shpesh shtynte teori konspirative. Një nga fushatat që udhëhiqte Byrne ishte edhe ajo e kundërshtimit të rezultatit electoral të zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA.
“Ndonëse shumë nga këshilltarët ligjorë të Trump kishin pranuar se ai kishte humbur zgjedhjet, Byrne dhe të tjerë po nxisnin një ide që ish-presidenti të përdorte Gardën Kombëtare për të kapur kutitë e votimit”, thuhej në artikullin e Washington Post.
Përpara se ti fuste duart në politikë, Byrne udhëhoqi biznesin online për shitje me pakicë ‘Overstock’, tash të njohur si ‘Bed Bath & Beyond’, për dy dekada përpara se të jepte dorëheqjen më 2019-ën. Kjo, pasi lidhja e tij me Maria Butina, grua ruse që u përpoq të depërtonte në qarqet politike konservatore amerikane, u bë publike.
Byrne tha se kishte pasur lidhje romantike për tri vite me Butinën, aktiviste ruse për të drejtat e armëve, e cila mbajti 15 muaj burg për përpjekje për të ndikuar në politikën e SHBA-së përpara zgjedhjeve të 2016-ës. Ajo më vonë u deportua nga SHBA-të.
Multimilioneri Byrne financoi një film të quajtur “The Big Rig”, i cili inkurajoi mediat e krahut të djathtë, podkastet dhe rrjetet sociale për të promovuar pretendimet e Trumpit për zgjedhjet presidenciale të 2020-ës.
Sipas prestigjiozes amerikane, Byrne ka ngritur shpeshherë teori konspirative: ai akuzoi një konkurrent u përpoq të rrëzonte Overstock. Ai mbajti fjalime kundër vaksinës së koronavirusit dhe përhapi dezinformata rreth Covid-19 në faqet e internetit dhe përmes rrjeteve sociale.
Trump në vazhdimësi ka sulmuar tashmë këshilltarin special Jack Smith të shtunën. Ai e ka quajtur Smith “turpin e Amerikës”.
Jack Smith është emëruar në nëntor për të hetuar ish-presidentin Trump. Ai është prokuror veteran i Departamentit të Drejtësisë, që nga e kaluara e tij ka hetuar politikanë në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj.
Smith ka qenë prokuror i Prokurorisë Speciale për tri vite në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.