“Jemi thellësisht të shqetësuar për situatën në veri”, u shpreh i deleguari special i Bashkimit Evropian për çështjen Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit me Kryeministrin Kurti. I shoqëruar me të dërguarin amerikan Gabriel Escobar, Lajçak përmend sërish tri kërkesat që në takim ia kishin shtruar kryeministrit, shkruan Fol Drejt.
“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçaku, pas takimit trepalësh.
Ai tha se është në interes të të gjithëve që në veri të Kosovës të ketë kryetarë të komunave “legjitimë” dhe që përfaqësojnë qytetarët.
Ndë anën tjetër i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar tha se:
“Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit trans-atlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të merremi në konsideratë.”
“Një gjë dua të them, erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën, të arrijë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit, e integritetit territorial tuaj. Po kërkoj vetëm të dëgjohemi”, tha Escobar.
Të pyetur se a i ka pranuar Kurti propozimet e tyre, të dy thanë se janë në “fillim të misionit të tyre”, që do të zgjasë dy ditë.
“Shpresoj se do njoftojmë për lajme të mira në fund, por nuk kemi arritur atje ende”, deklaroi Lajçaku./FolDrejt/