Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka njoftuar se sot do t’i publikojë në dy pjesë të 100 projekteve e zotimeve të “Rrugës së Re”.
I pari i LDK-së thotë se ato janë të elaboruara në një program voluminoz e të detajuar i cili në plotni do të prezantohet në Konventën e madhe programore të Lidhjes Demokratike gjatë muajve tetor e nëntor të këtij viti.
Ai ka ftuar qytetarët që t’i japin mendimet për projektet e propozuara nga LDK, transmeton Telegrafi.
“Ju ftoj t’i lexoni ato. Të jepni mendimet tuaja për to. Të diskutojmë bashkërisht për to, e në raste dhe t’i pasurojmë ato. ‘Rruga e Re’ fundja do të jetë një udhërrëfyes i gjallë me plotësime gjatë gjithë kohës. Kam kaluar 2 vitet e fundit duke dëgjuar. ‘LDK ju dëgjon’ ka qenë platforma e vetme politike në vend që ka zhvilluar komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarë. Kam mbledhur mbi 200 profesionistë të vendit me të cilët bashkërisht kemi ndërtuar një plan ambicioz për Republikën. Kam zhvilluar takime me media e gazetarë, shoqëri civile, profesorë universitarë e biznese që përbëjnë mbi 80% të ekonomisë sonë. Kam marrë mendimet e tyre; u kam shpalosur rrugën tonë përpara”, thotë ai.
Ai tutje ka shtuar “kam vizituar ndërmarrës të mëdhenj e familjarë, individë me arritje spektakulare, grupe përfaqësuese e vet punëtorë të palodhshëm të vendit tonë. Kam marrë më të mirën e tyre – dijet, pikëpamjet e vizionet që kanë”.
Sipas tij, tani koha është për të diskutuar mbi idetë.
“Me bashkudhëtarët e Lidhjes – dhe jo vetëm – do të shpalosim secilin projekt në detaje. Do të hapim debate të gjëra në gjithë vendin. Do ta shpalosim të djathtën tonë si vlerë përparimtare e zhvillimore. Si antidot i zymtësisë së tanishme; si shërues i polarizimit përçarës; si shpërthim i ngufatjes në të shkuarën. Ne duam të flasim për të ardhmen. E shkuara s’na kthehet më. S’kemi pse humbasim kohë. E ardhmja po na ikën përpara. Ne shohim një Kosovë më ndryshe. Ku urrejtja e brendshme zëvendësohet me unitet nacional. Ku akuzat, sharjet e ofendimet zëvendësohen me projekte të mëdha. Ku cinizmi zëvendësohet me ambicie e ëndrra që lehtësisht bëhen realitet”, thotë mes tjerash ai.
Abdixhiku pohon se rruga e re e tyre dërgon atje, duke shtuar ” se ne kemi gjetur rrugën përpara; është koha ta bëjmë të njëjtën së bashku”.
“Kjo është Pjesa e Parë e 100 projekteve tona”, përfundon Abdixhiku./FolDrejt/