Nën kryesimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi sot mbajti mbledhjen e parë.
Kryeministri Kurti tha se besimi i qytetarëve në ndryshim është i madh dhe se ky besim duhet të korrespondojë me vullnetin dhe gatishmërinë e qeverisë, për të ju qasur sfidave me seriozitet.
Ai shtoi se qytetari në rend të parë e ka shëndetin, dhe kujdesin ndaj të njëjtit duhet ta gëzojë, pa pagesë, nga profesionistët në çdo kohë. “Përkushtimi im e koha ime nuk do të mungojë në asnjë moment”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në anën tjetër, ministri Shëndetësisë, Rifat Latifi u shpreh i lumtur për vendimin e formimit të Komisionit. Ai tha secili prej anëtarëve të Komisionit ka shumë punë përpara, dhe u shprehë i bindur se së bashku do t’ia dalin mbanë.
Në komunikatë bëhet e ditur se në këtë takim, përpos diskutimit mbi përgjegjësitë e Komisionit, u bë edhe ndarja punëve dhe përgjegjësive të anëtarëve të këtij Komisioni.
Sipas vendimit të sotëm të Qeverisë, Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi përbëhet nga kryeministri, ministri i Shëndetësisë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, zëvendësministrja dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, këshilltari i Kryeministrit për Shëndetësi, këshilltari i Kryeministrit për Teknologji të Informacionit, zëvendësuesja e drejtores së ShSKUK dhe kryetarja e Bordit të ShSKUK-së.
Përgjegjësitë e Komisionit janë:
1. Analiza dhe definimi i ndarjes dhe bashkëpunimit publiko-privat në shëndetësi;
2. Zhvillimi i sistemit informativ në shëndetësi për ta informatizuar në tërësi sistemin shëndetësor, në të gjitha nivelet (primar, sekondar, terciar) e sektorët (privat dhe publik)
3. Reformimi i ShSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale;
4. Zhvillimi i sektorit publik të shëndetësisë në kuptim të ngritjes së kapaciteteve të shërbimit e kujdesit shëndetësor dhe ndërlidhjes me studimin e punën universitare dhe shkencore;
5. Themelimi i Spitalit Rajonal të Prishtinës.
6. Ndërveprimi me pesë odat e profesionistëve shëndetësorë: të mjekëve, të infermierëve, të stomatologëve, të farmacistëve dhe të fizioterapeutëve./21Media