Anton Quni, ministër në detyrë i Mbrojtjes në RTV Dukagjini ka folur rreth rolit të FSK-së gjatë pandemisë në Kosovë.
Ai tha se FSK ka pasur një rol të veçantë në mbështetje të autoriteteve civile, duke qenë të gatshëm që të asistojnë sa i përket çështjes ushtarake.
“Që nga momenti kur autoritetet e qeverisë e kanë shpallë pandemi, i kemi ngrit mekanizmat për t’u përballë me këtë pandemi dhe FSK ka pas një rol të veçantë në mbështetje të autoriteteve civile. Të gjitha kërkesat janë përmbush me angazhim që nga fillimi, që kur është sensibilizu çështja e pandemisë, nga çështja ushtarake janë marrë masa që të ruhet vitaliteti i FSK-së për të qenë të gatshëm që të asistojnë. Nga ne është kërku mi mbështet autoritetet civile me flotën e transportit për të kthyerit, ku 2197 qytetare janë dërguar nga flota e FSK-së e shoqëruar nga policia për në karantinë. Të njëjtit pas dy javë janë trasportu në vendbanim të tij”, tha Quni.
Ai tha se nga institucioni që drejton është kërku t’i ndihmojnë qendrat spitalore regjionale ku janë ngritur 16 tenda. Po ashtu edhe nga autoritetet kufitare, që në 4 pika janë vendosur 4 kontejnerë të pajisur me mobile përcjellëse, e që i kanë kryer në bashkëpunim me KFOR-in.
“Me autoritetet komunale për shtabe emergjente, kemi asistu me 5 ekipe. Kemi pas aktivitete të tjera, transportimin e donacionit të Turqisë, pastaj ai i rregullt i stafit mjekësor në Infektivë nga hoteli ku kanë qëndruar.
Shpërndarja e ndihmave humanitare që u organizu nga Komuna e Prishtinës ku kemi shpërndarë për mbi 2000 pako që kanë përfitu këto familje”.
Ministri i Mbrojtjes tregoi se sa ushtarë janë prekur nga COVID-19.
“Në kuadër të FSK-së, ka qenë një ushtar dhe nga regjimenti i parë në Gjilan 5 ushtarë, ndërsa 2 të tjerë që kanë qenë në shkollim jashtë vendit.
Të gjithë e kanë kalu atë fazë dhe janë në gjendje të mirë”.
Po ashtu Quni tha se kanë qenë të gatshëm edhe në rast se shteren mundësitë e infrastrukturës mjekësore, FSK janë bërë gati për akomodimin e të infektuarve.
“Gjithnjë me supozim që kur të shterin mundësitë e infrastrukturës mjekësore, i kemi ngrit dhe kemi qenë të fokusuar në karantinimin e të gjithë atyre që duhet të kalojnë në fazën e vetëizolimit.
Rreth 1600 vende i kemi përgatit në disa vende ushtarake si në Gjilan, Istog e vende të tjera, po ashtu brenda kapacitetit tonë, brenda kazermës “Adem Jashari” në klinikën tonë, jemi bërë gati në trajtim deri në 60 të infektuar, por edhe njësite të tjera të specializuara”.
Ai tregoi se FSK është në tranzicionin e vitit të dytë të planit dhe në këtë fazë janë edhe disa çështje insfrastrukturore ligjore. Por, që është dashur t’i ndërprejnë për shkak të pandemisë. Ndërsa foli edhe rreth asaj që qeveria e shkarkuar, ka pasur në program: Shërbimin e Obliguar Ushtarak.
“Shërbimi ushtarak i obliguar është brenda harmonizimit të programit qeverisës mes LDK-së dhe VV-së dhe është një ide që deri tash s’ka pas materializim të kësaj teme për shkak të pandemisë, por kjo ka shkaktu interesim tek komuniteti, veçmas tek ndërkombëtarët. E kemi sensibilizu këtë çështje dhe ka pas mirëkuptim si diçka e nevojshme për rininë e Kosovës dhe stabilitetin e paqen në Kosovë dhe rajon.
Një program ky si pjesë e një arsimimi të përgjithshëm, por që pas pandemisë do të kalojmë në ndërtimin e infrastrukturës ligjore duke funksionalizu ekipe të specializuara të FSK-së”.
E, për këtë ministri në detyrë tha se duhet të kyçen shumë akterë, ministri e agjensione, po ashtu të bëhet edhe në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.