Vlora Çitaku, nga radhët e PDK-së, ka reaguar pas lëshimit të njoftimeve nga ambasadat ndërkombëtare për moskoordinim me qeverinë lidhur me vendimin e fundit për organizatat terroriste në veri.
Çitaku ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës çdo ditë e më shumë po e rrënon kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Ja në çfarë niveli kemi arritë në raportet tona me aleatët.
SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania publikisht demantojnë Ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës lidhur me vendimin e djeshëm për dezignimin e dy organizatave si terroriste.
Kjo qeveri çdo ditë e më shumë po e rrënon kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.”, ka theksuar Çitaku.
“Nëse për çështje kaq të ndjeshme të sigurisë qeveria nuk koordinohet me SHBA, U.K dhe Gjermaninë, e megjithatë deklarohet se ka pasur koordinim me ndërkombëtarët, pyetja është me kë janë bashkërenduar?!!! Me cilët ndërkombëtarë?
Me këtë qasje avantureske nuk po rrezikohet vetëm veriu i vendit, por tërë Kosova dhe gjithçka që është arritur me shumë mund dhe sakrificë.”, ka shtuar më tej./FolDrejt/