Kampioni aktual i futbollit anglez, Manchester City po planifikon të zgjerojë stadiumin Etihad me 7,000 vende të reja në një investim prej 300 milionë funtesh.
City paraqiti një kërkesë në Këshillin e Qytetit të Manchesterit për të zgjeruar stadiumin nga 53,400 në më shumë se 60,000 vende, gjë që do ta bënte Etihadin një nga stadiumet më të mëdhenj në Premier League pas Old Trafford (74,310), Tottenham Hotspur Stadium (62,850) dhe London Stadium (62.500).
Kryesia e Manchester Cityt deklaroi se planifikon zgjerimin e tribunës veriore, hapjen e një klubi të ri tifozësh, muze, kafene dhe hotel me një kapacitet prej 400 dhomash. Klubi vlerësoi se punimet mund të zgjasin rreth tre vjet.
“Ne dëshirojmë të falënderojmë fansat tanë dhe komunitetin lokal për pjesëmarrjen e tyre në konsultimin e fundit, jo vetëm për plotësimin e pyetësorit, por edhe për komentet e shumta të cilat të gjitha u shqyrtuan dhe u morën parasysh me kujdes”, tha Drejtori i Përgjithshëm Danny Wilson.
E ndertuar ne vitin 2002
Stadiumi i Manchester Cityt, i njohur gjithashtu me emrin e tij sponsor Etihad, u ndërtua në 2002 për të pritur Lojërat e Commonwealth 2002. Manchester City ra dakord të jepte me qira stadiumin nga Këshilli i Qytetit të Manchesterit dhe u zhvendos atje në verën e 2003.
Ndeshja e parë e futbollit në stadium ishte një miqësore midis Manchester City dhe Barcelonës më 10 gusht 2003. Manchester City fitoi 2:1 dhe golin e parë në stadium e shënoi Nicolas Anelka, transmeton Fol Drejt.