Civilët ukrainas kanë marrë trajnime ushtarake për t’u përgatitur për një pushtim të mundshëm rus.
E në mesin e tyre është edhe Marta Yuzkiv, ndonëse shprehet e shqetësuar ajo thotë se duhet të bëhet gati për të mbrojtur vendin e saj.
“Natyrisht që jam e shqetësuar pasi jam një grua shumë paqësore, unë nuk dua që një luftë të fillojë, por në qoftë se fillon, unë duhet të jem gati për të mbrojtur vendin”, ka deklaruar rezervistja Yuzkiv.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, trajnime të tilla ushtarake për grupet civile janë mbajtur në Ukrainë prej të paktën disa vitesh. Për shkak të tensioneve në rritje dhe mundësisë të një pushtimi rus, më shumë njerëz tani janë të gatshëm t’i bashkohen këtyre grupeve të mbrojtjes territoriale.
“Ne jemi (pjesë) e mbrojtjes territoriale, që duhet të mbrojmë vendin ku jetojmë, të ruajmë ndërtesat administrative, infrastrukturën etj. Të ndihmojmë ushtrinë e rregullt në rast të një pushtimi masiv”, shprehet Yuzkiv.
“Shumica prej nesh janë civilë. Dhe ne duhet të kuptojmë se si të punojmë në ekipe, si të bëjmë detyra të thjeshta, themelore ushtarake”, ka shtuar ajo.
Videoja e mëposhtme nga BBC tregon pjesë të trajnimit të rezervistëve me kohë të pjesshme nga forcat e mbrojtjes territoriale.