Zëvendëskryeministri dhe ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, sot në një bisedë me anëtarët e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, u bëri thirrje institucioneve të BE-së që të kontribuojnë aktivisht në deeskalimin në Kosovë.
Vuçeviq, në një bisedë kushtuar situatës së sigurisë në Kosovë, theksoi siç e quajti ai “intensifikimin e mëtejshëm të provokimeve dhe incidenteve të paramenduara dhe tendencioze që kërcënojnë sigurinë dhe jetën e qytetarëve të nacionalitetit serb, si dhe paqen në rajon”.
Ai theksoi se kinse “menjëherë pas bisedimeve në Bruksel, institucionet e Kosovës, në krye me Albin Kurtin, edhe një herë konfirmojnë se nuk mund t’u besohet dhe se duke vazhduar politikën e tyre të papërgjegjshme, të papjekur dhe të pamatur, po u japin një goditje të rëndë të gjitha përpjekjeve për të rivendosur dialogun dhe për të ruajtur paqen dhe sigurinë.”/FolDrejt/