Nga sot Dogana e Kosovës ka funksionalizuar sistemin e shitjes online të mallrave të konfiskuara.
Kjo është bërë e ditur gjatë mëngjesit të sotëm nga Dogana e Kosovës.
Në kuadër të modernizimit dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve Dogana ka nisur sistemin me të ri të shitjes online, ky sistem mundëson të gjithë qytetarët e Republikës se Kosovës që të kenë qasje dhe njëherësh të marrin pjesë online në ankandet e organizuara nga Dogana. Sistemi funksionon përmes web faqes sonë ku fillimisht kërkohet regjistrimi e pastaj qasja në ankande është automatike.
Mirëpo çka do të mund të blejnë qytetarët kosovarë sapo të kërkojnë në këtë ankand?
Në një përgjigje për IndeksOnline, zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur se në dispozicion do të jenë nga telefonat mobil e deri tek veturat.
“Të gjitha mallrat, duke filluar nga telefonat mobil e deri tek automjetet”, tha Stavileci për IndeksOnline.
Ndërkohë pas sistemit të zhdoganimeve Asycuda, sistemin e komunikimit online, e-administrates tani sistemi i shitjes online të mallrave të konfiskuara ka shndërruar Doganën e Kosovës në administratën e parë në vend që funksionon 100% online dhe u mundëson të gjitha palëve të interesit të kenë qasje dhe përdorim të shërbimeve të doganës në mënyrë eletronike.