Ramazani është muaji i vëllazërisë, i dashurisë dhe i solidaritetit islam
Ramazani është muaji i frymëzimit për vepra të mira dhe i shpërblimit të sakrificës e durimit; muaji i nëntë i kalendarit mysliman të hixhrit, i cili llogaritet sipas Hënës dhe jo sipas Diellit.
Abstenimi nga ushqimi, pijet, mendimet dhe veprat e këqija
Gjatë Ramazanit, të gjithë myslimanët në botë abstenojnë nga ushqimi, pijet, mendimet dhe veprat e këqija nga mëngjesi (syfyri) deri në mbrëmje (iftari). Nga ata gjithashtu pritet që sa më me besnikëri të pasojnë mësimet e Muhamedit, gjë që përfshijnë edhe përpjekjen për marrëdhënie më të mira ndërmjet njerëzve. Rëndësi i kushtohet pastërtisë së mendimit dhe veprave.
Sipas profetit Muhamed, së bashku me ngrënien dhe pirjen, këto gjëra e prishin agjërimin: gënjeshtra, sharjet, thashethemet, shpifjet dhe shikimi i pasionuar. Nëse hahet apo pihet diçka në harresë, nuk e prish agjërimin, me kusht që besimtari ta ndërpresë atë sapo t’i kujtohet agjërimi.
Nga ana tjetër, nëse nga pakujdesia gëlltitet vetëm një pikë uji gjatë abdesit (larja rituale para namazit) ose larjes, agjërimi prishet automatikisht. Në këtë mënyrë, Islami e dallon neglizhencën nga pakujdesia.