Ndryshimet që po planifikohen të bëhen në Kodin Civil, përkatësisht ato që kanë të bëjnë me Kapitullin e Martesës, kanë zgjuar debat në opinionin publik. Saktësisht Nënkapitulli I – Kuptimi i Martesës, Neni 1138, pika 2 ku thuhet:
“Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” – i ka shtyrë bashkësitë e komunitetet fetare, e deri te qytetarët e shumtë, që të reagojnë kundër këtij ndryshimi, transmeton Fol Drejt.
Reaksioni ka nxitur debate të ashpra, sidomos në rrjetet sociale, ndërsa Projekt-Kodi e ka kaluar vetëm fazën e shqyrtimit nga Komisioni për Legjislacion.
Qytetarë dhe aktivistë politikë, kanë kërkuar që të mos mbështeten këto ndryshime, ndërsa sot ai ndodhet në rendin e ditës, si pikë e mbetur nga seancat e kaluara.
PROJEKTKODI CIVIL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
KAPITULLI II – MARTESA
Nënkapitulli I – Kuptimi i Martesës
Neni 1138
Martesa
- Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjerisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit të gjendjes civile.
- Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë.
Ditë më parë Fol Drejt ka kontaktuar disa nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për të kuptuar qëndrimin e tyre rreth kësaj çështjeje, por ata kanë hezituar të flasin, me arsyetimin se kjo çështje nuk është diskutuar brenda grupit parlamentar. Sipas disa burimeve, kjo çështje ka shkaktuar përçarje brenda këtij grupi, meqë një pjesë e deputetëve e kanë refuzuar në mënyrë kategorike miratimin e tij.
Mbetet të shihet nëse ai të diskutohet, e më tej, edhe të kalojë në kuvend.
Nga ana tjetër, nga partitë parlamentare opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është deklaruar Kundër këtyre ndryshimeve, duke thënë se:
“Grupi parlamentar i AAK-së do te votojë kundër miratimit në parim të Kodit Civil, i cili përmban edhe pjesën sipas të cilës do të lejoheshin martesat brenda së të njëjtës gjini. Si përfaqësues të popullit dhe pas kërkesave të shumta që kemi marrë nga elektorati ynë, miratimi i një baze të tillë ligjore, vlerësohet i parakohshëm.”
Këtë e ka paralajmëruar Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Vlen të thuhet se nga grupet e tjera nuk janë deklaruar rreth kësaj çështjeje.
Mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat./FolDrejt/