Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka bërë thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurti, që ta shkarkoj ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq bashkë me të emëruarit e tij në qeveri.
Lladrovci i tha Kurtit se “bashkëjetesa” politike me ata që bashkëpunojnë me “grupe kriminale”, është bashkëqeverisje e çoroditur.
“Ka dy rrugë, ose nuk janë të sakta konstatimet se ata “bashkëpunojnë me grupe kriminale” dhe janë deklarata kuturu, ose ju bashkëqeverisni me bashkëpunëtorët e krimit me vetëdije dhe kështu Ju bëni krim”, shkroi Lladrvoci, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai i bëri thirrje Kurtit që t’i përgjigjet kërcënimeve të Rakiqit rreth deklaratave të këtij të fundit se është i interesuar ta rrëzoj shefin e tij nga kreu i qeverisë.
“Vepro, ndryshe, fjalët dhe veprat Tuaja po shkojnë me shpejtësi të frikshme në binarë të kundërt pa gjasa të përpiqen diku”, ka shkruar Lladrovci, përcjell Klankosova.tv.
Kujtojmë se në dy ditët e fundit, Lista Serbe e ministri Rakiq kanë shprehur interesimin e tyre për ta rrëzuar Qeverinë Kurti.