Enver Robelli
Ministri Blerim Reka tha: nuk kemi tokë për t’i falur Serbisë. Por, ok, në kuadër të bashkëpunimit rajonal edhe Serbia përfiton: mund ta shfrytëzojë rrugën e shpejtë që lidhë Kosovën si trevë qendrore ballkanike me Portin e Durrësit. Në fakt kamionët me targa serbe prej vitesh lëvizin në rrugën e kombit. Pra, firmat serbe e shfrytëzojnë Portin e Durrësit. Nëse një ditë Serbia pajtohet me pavarësinë e Kosovës, Zhivoradi i Kralevës mund të shkojë me kamionin e tij ne Durrës dhe të marrë një ngarkesë me banane latinoamerikane. Kjo, në të vërtetë, është e mundshme prej vitesh. Këtë ia kanë bërë të mundshme Zhivoradit qeveritë e mëparshme, jo kjo e tanishmja. Andaj sulmet e opozitës kundër Blerim Rekës janë qesharake dhe absurde. Nga PDK Blerim Reka u atakua se paskësh përmendur disa gabime të Amerikës në Ballkan. Po të kishte PDK udhëheqës të mençur, do të heshtte. Asgjë, ama bash asgjë diskutabile nuk ka thënë Blerim Reka. Sepse e vërteta është kjo: në fillim të viteve 90-të ministri i Jashtëm amerikan James Baker besonte gabimisht se Jugosllavia nuk prishet kurrë, ndërsa korrespondenti i “New York Times” nga Beogradi, David Binder, aq shumë besonte në superioritetin e nacionalistëve serbë, saqë ia uronte ditëlindjen edhe gazetës fashiste serbe “Politika”. Politikën amerikane ndaj Ballkanit e kanë ndryshuar gazetarë si Roy Gutman dhe diplomatë si Madeleine Albright, e cila kur gjaku derdhej rrëke në Ballkan një ditë pyeti: dreqi e marrtë, për çka e kemi gjithë këtë ushtri? Kritikët e Blerim Rekës nuk i dinë këto. Blerim Reka i di. Dhe ky është dallimi edhe intelektual mes qeverive të mëhershme dhe kësaj qeverie.