Kryediplomati britanik, James Cleverly, kritikoi deklaratat e Rusisë që ofron një “regjim armëpushimi” përgjatë gjithë vijës së luftimit për Krishtlindje, transmeton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Një pauzë 36 orësh e sulmeve ruse nuk do të bëjë asgjë për të avancuar perspektivat për paqe. Rusia duhet të tërheqë përgjithmonë forcat e saj, të heqë dorë nga kontrolli i paligjshëm i territorit ukrainas dhe t’i japë fund sulmeve të saj barbare kundër civilëve të pafajshëm”, shkroi Cleverly.
Siç raportohet, më herët mediat propagandistike ruse thanë se Presidenti rus Vladimir Putin, dyshohet se ka urdhëruar që të vendoset një “regjim armëpushimi” nga ora 12:00 e datës 6 janar deri në orën 24:00 të datës 7 janar, përgjatë gjithë linjës së kontaktit midis palëve ndërluftuese në Ukrainë.
Nga ana e tij, këshilltari i kreut të zyrës së Presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podolyak, tha se një armëpushim i përkohshëm do të ishte i mundur vetëm pasi Rusia të tërhiqej nga territoret e pushtuara përkohësisht, sepse Ukraina lufton kundër trupave ruse, por nuk pushton tokat e huaja dhe nuk vret civilë. /FolDrejt/