Tre persona nga komuna e Prishtinës u konfirmuan të prekur me virusin COVID-19 mbrëmjen e së hënës, duke çuar kështu në 84 numrin e personave me koronavirus në kryeqytet. Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, në një lidhje direkte për Express tha se personat që rezultuan pozitivë mbrëmë janë raste kontakti të një personi që u konfirmua me COVID-19 një natë më parë
“Situata në Prishtinë është e qetë sa i përket COVID-19 duke marrë parasysh numrin e banorëve në komunën e Prishtinës. Me rastet e fundit që ishin ditën e djeshme kemi arritur në numrin 84, prej tyre kemi 67 të shëruar dhe 15 aktive dhe dy të vdekur. Rastet e mbrëmshme janë kontakte të një rasti që ishte një ditë më parë”, tha Gashi.
Gashi shtoi se sot në Prishtinë do të testohen më shumë se 30 persona. Mirëpo, ky numër mund të ndryshojë nëse ka testime nga terreni dhe nga karantina në Qendrën Studentore.
“Sot janë testuar rreth 30 persona nga QKMF’ja, rezultatet e tyre i presim në mbrëmje. Këtij numri si zakonisht mund t’i shtohen rastet që shkojnë për testim në Klinikën Infektive si dhe nga terreni, e po ashtu nga karantina në Qendrën Studentore. Deri në mbrëmje nuk e dimë saktë numrin e qytetarëve të cilët janë testuar në komunën e Prishtinës”, deklaroi Gashi .