“Kam besuar që në fillim se covid 19 është një luftë botërore. Kam dëgjuar mjaft nga ata që e kanë kaluar. Por qenka tmerr”.
Ky ishte mesazhi i fundit, që gazetarja shkodrane Anila Dushi, la për të gjithë miqtë e saj dhe familjarët teksa ishte e shtruar në spitalin rajonal të Shkodrës. Një betejë me virusin, të cilën fatkeqësisht e humbi mëngjesin e së shtunës në moshën 54 vjeçare. Dushi ishte figurë e njohur në Shkodër jo vetëm si gazetare por edhe si mësuese, pedagoge dhe shkrimtare. Për 21 vite me radhë ishte pjesë e gazetarisë nga të cilat për 18 vite ka mbuluar kronikën në gazeten Shekulli dhe Albania, pjesë e televizioneve Tv1Channel, Starplus, A1 Televizion ndërsa prej vitit 2016 ishte pjesë e rrjetit investigativ te Ballkanit, BIRN.
Ajo ishte edhe autore e Gazetës “Pjaca” ku evidentonte vlerat e qytetit të Shkodrës. Anila ka kontributin e saj edhe si pedagoge për 5 vite me radhë në Degën e Gazetarisë në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.